8 Marsi: Festë apo Protestë?

8 Marsi mund të jetë një ditë festimi, por mbi të gjitha është një kujtesë e luftës së gjatë për të drejtat e grave. Gratë sot gëzojnë shumë të drejta, por këto janë fituar përmes dekadash aktivizmi, protestash dhe sakrificash të mëdha. Megjithatë, këto të drejta nuk janë të garantuara përgjithmonë dhe kërkojnë mbrojtje e përparim të vazhdueshëm.
Të drejtat e grave janë arritur me shumë përpjekje dhe sakrifica.
E Drejta për të Votuar dhe Pjesëmarrja Politike
Një nga fitoret e para ndodhi në Zelandën e Re (1893), ku Kate Sheppard drejtoi luftën për të drejtën e votës për gratë.
Në SHBA, Susan B. Anthony dhe Elizabeth Cady Stanton udhëhoqën përpjekjet që çuan në miratimin e Amendamentit të 19-të në vitin 1920, i cili u dha grave të drejtën e votës.
Gratë shqiptare fituan të drejtën e votës në vitin 1945, pas angazhimit të grave aktiviste dhe rolit të tyre të rëndësishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Aksesi në Arsim
Në fillim të viteve 1900, shumica e grave shqiptare nuk kishin mundësi të shkolloheshin. Parashqevi Qiriazi, një feministe dhe edukatore, ishte ndër të parat që luftoi për arsimin e vajzave.
Në botë, Malala Yousafzai, një aktiviste pakistaneze, mbijetoi nga një sulm i talebanëve në 2012 dhe vazhdon të luftojë për të drejtën e vajzave për arsimim.
E Drejta për të Punuar dhe Paga e Barabartë
Clara Zetkin, një feministe dhe socialiste gjermane, mbrojti të drejtat e punës për gratë dhe luajti një rol kyç në themelimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave në 1910.
Gjatë komunizmit, gratë shqiptare hynë në tregun e punës, por pabarazia në paga vazhdon edhe sot.
Në SHBA, Lilly Ledbetter sfidoi diskriminimin në paga, duke çuar në miratimin e Ligjit Lilly Ledbetter për Pagën e Barabartë në 2009.
Të Drejtat Riprodhuese dhe Kontrolli mbi Trupin
Shqipëria legalizoi abortin në 1995, por aksesi në shërbime shëndetësore riprodhuese mbetet i kufizuar.
Gratë si Simone de Beauvoir dhe Margaret Sanger luftuan për të drejtat riprodhuese, përfshirë kontracepsionin dhe abortin.
Mbrojtja nga Dhuna në Familje dhe Feminicidi
Dhuna në familje u njoh si krim në Shqipëri në vitin 2006, por zbatimi i ligjit mbetet i dobët.
12 femicide janë regjistruar në Shqipëri në vitin 2024, duke treguar se kriza vazhdon dhe madje po shtohet.
Në Spanjë, Ana Orantes foli publikisht për dhunën në familje në vitin 1997. Ajo u vra nga ish-bashkëshorti i saj, dhe kjo çoi në ndryshime të mëdha ligjore.
Martesa, Divorci dhe të Drejtat LGBTQ+
Në Shqipëri, gratë fituan të drejtën për divorc gjatë komunizmit, por stigma sociale ende ekziston.
Martesat e të njëjtit seks nuk lejohen dhe çiftet lezbike nuk kanë të drejta familjare.
Marsha P. Johnson, një grua me ngjyrë transgjinore, luajti një rol të madh në Revoltën e Stonewall në vitin 1969, që shënoi një kthesë të rëndësishme për të drejtat LGBTQ+.
A Janë Këto të Drejta të Sigurta Sot?
Edhe pse gratë kanë fituar shumë beteja, të drejtat e tyre përballen me kërcënime të vazhdueshme:
Dhuna me bazë gjinore dhe feminicidi vazhdojnë të jenë një rrezik i madh. 12 gratë e vrara në Shqipëri në vitin 2024 tregojnë se situata është alarmante.
Pabarazia ekonomike vazhdon, me gratë që fitojnë mesatarisht 20% më pak se burrat.
Të drejtat riprodhuese po sulmohen, me kufizime të abortit në SHBA dhe disa pjesë të Evropës dhe madje të tilla tentativa po bëhen edhe në Shqipëri.
Lëvizjet konservatore dhe ekstremiste po forcohen, duke kërcënuar barazinë gjinore dhe të drejtat LGBTQ+.
8 Marsi: Një Thirrje për të Vazhduar Luftën
8 Marsi nuk është thjesht një ditë për të dhuruar lule—është një ditë për të nderuar sakrificat e grave që luftuan për të drejtat tona, për të protestuar kundër padrejtësive dhe për të kërkuar më shumë progres. Lufta për barazi nuk ka përfunduar dhe historia ka treguar se të drejtat mund të humbasin nëse nuk mbrohen me vendosmëri. Për këtë arsye, një grusht njerëzish protestojnë çdo vit në Tiranë. Protesta të vogla, por shumë domethënëse. Domethënëse sepse këto protesta vihen në lojë nga shumë njerëz, midis tyre edhe shumë gra të cilat i gëzojnë të drejtat e tyre pikërisht prej këtyre njerëzve të cilët padrejtësisë nuk mund ti hapin rrugë.