Nuk ka pandemi më të rrezikshme sesa patriarkalizmi dhe skemat toksike mendore që e mbajnë në këmbë!
Reagimi i mësipërm nga rrjeti i organizatave të grave AWEN erdhi pas ngjarjes tjetër të kronikës së zezë, të shënuar mbrëmjen e djeshme në Mirditë, ku një burrë vrau ish-bashkëshorten dhe vëllain e saj, në oborrin e tyre të shtëpisë.
Autori ishte arrestuar në korrik të vitit 2017 për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa nga zbardhja e dëshmisë shpjegohet dhuna e ushtruar e cila ishte periodike dhe ushtrohej në sy të fëmijëve. Disa herë autori kishte kërcënuar bashkëshorten dhe familjen e saj, por brenda 2 viteve arriti të lirohej nga burgu, edhe pse ishte i dënuar për tre vepra penale.
Në një rast të përsëritur rëndom në vendin tonë, pas lirimit nga burgu autori vijonte përndjekjen e ish-bashkëshortes, e cila kulminoi me vrasjen e ditës së djeshme.
Pas çdo rasti të përsëritur, organizatat e grave kanë reaguar duke kërkuar gjithnjë e më shumë zbatimin e ligjeve dhe ndjekjen e rasteve të dhunës edhe pas lirimit të autorëve nga burgu.
Në reagimin e sotshëm, Rrjeti i fuqizimit të gruas në Shqipëri AWEN ka reaguar duke e quajtur vrasjen e grave si pandemi. Në vijim reagimi i plotë:
Nuk ka pandemi më të rrezikshme sesa patriarkalizmi dhe skemat toksike mendore që e mbajnë në këmbë! Nuk ka ngushëllim për humbjet e jetëve nga dora e burracakëve të brumosur keq!
Nuk ka shpëtim nga dhuna e vrasjet e vajzave e grave e ato në marrëdhëniet familjare, nëse nuk i rrisim djemtë me vlera të shëndosha e njerëzore, nëse nuk e marrim seriozisht rehabilitimin e personave të dhunshëm, nëse e gjithë shoqëria nuk angazhohet për ta ndryshuar këtë skenar vdekjeprurës!
Sot mbajmë zi për dy jetë që u këputën në mes nga një vrasje e parandalueshme, si shumë të tjera, fatkeqësisht! Vrasje që përsëriten pa fund!
Sot do të donim që shteti e shoqëria të ishte në alarm për një ‘virus’ që vret më shumë vajza e gra se çdo gjë tjetër – patriarkalizmi!!!