Austriakët do të drejtohen këtë të dielë drejt kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vetëm katër muaj pasi një skandal video-rregjistrimesh shpërbëri koalicionin konservator të formuar në vitin 2017. Pjesë e këtij koaliconi, ishte dhe një parti e ekstremit të djathtë, kryetari i së cilës u rregjistrua tek diskutonte mbi afera korruptive në postin e tij ministror.
Sipas sondazheve, ish-kancelari konservator Sebastian Kurz po shkon drejt fitores, por ai ende do të ketë nevojë për partnerë për të siguruar një shumicë.
Nuk është e qartë nëse Kurz do të zgjedhë të kthehet në aleatin e tij të vjetër politik, FPO të së djathtës, apo të kërkojë majtas për aleanca të reja.
Austria mbetet një nga vendet pararojë të valës nacionaliste në BE. Euroskepticizmi dhe politikat e djathta nacionaliste rrezikojnë vendet kryesore të BE-së, por në Austri, një parti e tillë ishte nga të vetmet pjesëtare në koalicionin qeverisës së një vendi të BE-së.
Euronews ka studiuar projektimet e sondazheve për zgjedhjet austriake të së dielës. Partia Popullore e Kurzit (OVP) aktualisht ka një epërsi në sondazhet e opinioneve, me rreth 34% të votave të mundshme.
“Ai arriti ta paraqesë veten si viktimë të këtij skandali dhe njerëzit nuk e perceptojnë atë si të përfshirë”, tha eksperti Paul Schmidt, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqërisë Austriake për Politikë Evropiane, për Euronews.
Me ndjekësit e tij, Kurz mban një “imazh shumë të fortë dhe pozitiv”, tha Schmidt. Shumë njerëz ranë dakord me atë që po bënte qeveria e Kurz dhe duan të shohin një vazhdim të politikave të tij, vazhdoi eksperti.
Sipas projeksioneve, një vazhdim i koalicionit të vjetër me FPO mbetet rezultati më i mundshëm i zgjedhjeve. Me mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë në rreth 20%, kjo aleancë do t’i jepte sërish një shumicë koalicionit të udhëhequr nga Kurz. Të dy palët ndajnë një bazë të fortë të përbashkët, përfshirë një vijë të ashpër kundër emigracionit.
Koalicioni i mundshëm me partinë e Kurz më të fuqizuar, do të sillte një vazhdimësi të politikave anti-emigracion, të cilat po vijojnë të mbajnë të ndarë opinionin publik në BE dhe të ardhmen e unionit në rrezik.
Analistët diskutojnë dhe një koalicion të mundshëm të Konservatorëve të Kurz me Të gjelbrit dhe Liberalët, veprim që do sillte një ulje të retorikës anti-emigrantë në një nga vendet me peshë brenda BE-së.
Zgjedhjet në Austri do shërbejnë si një tjetër sinjal për punën e komisionit të ri evropian, i cili në nëntor pritet të marrë mandatin dhe të nisë gjetjen e zgjidhjeve për shume problemtika të pazgjidhura të viteve të fundit.
Burimi: Euronews
Burimi i fotos: Wikicommons/Ataraxis1492