Një nga problemet më shqetësuese për Bashkimin Evropian mbetet emigracioni dhe valët e vazhdueshme të refugjatëve. Pas krizës së emigrantëve të vitit 2015 – 2016, kur edhe shumë qytetarë nga Shqipëria ju drejtuan vendeve të BE për të kërkuar azil, kryesisht për arsye ekonomike, shifrat dhe trendet e muajve të fundit tregojnë një përmirësim të situatës.
Aplikimet për azil në vendet e BE u rritën me 26% vetëm gjatë muajit Korrik 2019. Edhe pse në nivele shumë më të ulta se në vitet e shkuara, sërish numri i azilkërkuesve mbetet shqetësues për politikën e BE.
Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO), që nga fillimi i vitit, në BE+(duke përfshirë Norvegjinë dhe Zvicrën) janë parashtruar rreth 400.500 aplikime, një rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Kjo rritje ka mbetur afërsisht e njëtrajtshme gjatë gjithë vitit 2019.
Sirianët, Afganët dhe Venezuelasit paraqitën një të katërtën e të gjitha kërkesave, ndërsa në 10 vendet e para të origjinës në korrik, u përfshinë gjithashtu dhe Iraku, Pakistani, Turqia, Kolumbia, Irani, Nigeria dhe Shqipëria.
Pavarësisht deklarimit të Shqipërisë së vend i sigurt i origjinës, numri i azilkërkuesve vijon të jetë i konsiderueshëm, nëse do të krahasonim situatën politike dhe ekonomike në vendin tonë me ato të shteteve të tjera në listën e 10 vendeve të origjinës.
Përpos mbulimit mediatik të situatës dhe punës së shtuar të autoriteteve policore në kufi, të cilat po asistohen gjatë këtij viti edhe nga Frontex (Agjencia Evropiane e Kufijve), institucionet e Shqipërisë sërish duket të lënë në heshtje fenomenin i cili mund të ngadalësojë procesin integrues së vendit në BE.
Sipas Monitor, Aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të parë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin. Ndërkohë, shumica e aplikimeve nga shqiptarët refuzohen, mesatarisht 97% e tyre. /k.j
Burimi i fotos: pixabay