“Bashkimi Europian është me ju dhe sot jam shumë krenar që shoh BE-në duke vepruar me solidaritet dhe efikasitet në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë”, deklaroi sot ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca në një deklaratë për mediet, lidhur me ndërhyrjen e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane në Shqipëri, pas tërmetit të 21 shtatorit.
“Jam këtu sot, vetëm 1 javë pas tërmeteve. Ka qenë vërtetë javë e vështirë për Shqipërinë. Tërmetet e javës së shkuar e kanë shkundur tërësisht Shqipërinë, e cila më pas u përball me mot të keq me stuhi që shkaktoi përmbytje”, – tha Soreca.
Ambasadori theksoi se 1500 shtëpi janë konfirmuar si të dëmtuara, përfshi 2 qendra shëndetësore.
Po ashtu, Soreca tha se “148 persona u dëmtuan por fatkeqësisht nuk pati fatalitet”.
Soreca përgëzoi autoritetet shqiptare që kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke ngritur qendra strehimi.
“Përgëzoj po ashtu shtetet anëtare që kanë qenë afër Shqipërisë jo vetëm aspektin gjeografik por edhe objektivin tonë të përbashkët. Përgëzoj bujarinë dhe shpejtësinë me të cilën kanë reaguar shtetet anëtare të BE-së, që po qëndrojnë pranë Shqipërisë në këto momente”, – tha ai.
Ambasadori i BE-së theksoi se një ekip plotësisht operacional me 8 ekspertë janë tashmë në Shqipëri dhe do bashkëpunojnë me autoritetet shqiptare përgjatë dy javëve. “Kemi angazhimin nga Austria, Kroacia, Greqia, Italia, Norvegjia, Mali i Zi, Franca etj. Nga BE kanë ardhur çadra emergjence, gjeneratorë të ndryshëm dhe paketa ushqimore që janë mobilizuar në zonat e prekura. Ekipi do të mbikëqyrë asistencën e BE-së dhe do të japin ekspertizën e tyre. Janë autoritetet shqiptare që po udhëheqin këtë”, – tha Soreca.
Ai theksoi se “ne duhet të punojmë për aspektin afatgjatë, domosdoshmërisht për të pasur një agjenci të fortë mbrojtje civile për parandalimin dhe parapërgatitjen”.
“Ngjarjet e kësaj javëve kanë treguar edhe një mangësi ndërgjegjësimi nga ana e qytetarëve dhe medies që mund të jetë shkatërrimtare në momente të rënda”, – tha ai./ atsh