Mes paqartësish të shumta dhe pa konkluzione konkrete u mbajt në Poloni Samiti i Poznanit me udhëheqësit e Ballkanit perëndimor. I mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit, iniciuar për herë të parë në 2014, Samiti bën bashkë liderat e rajonit dhe shërben si një mundësi e mirë financimi nga Bashkimi Evropian për projekte infrastukturore dhe jo vetëm dhe për të përafruar më shpejt rajonin me vendet e BE.
Delegacionet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës u bënë bashkë në takime bilaterale me udhëheqësit e procesit të Berlinit, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, por për shkak të situatës së paqartë të krijuar në Bruksel dhe negociatave të vështira për caktimin e udhëheqjes së re politike të Bashkimit Evropian, nuk pati konkluzione të qarta mbi vazhdimin e procesit të antarësimit të rajonit në BE.
Presidenti polak Andrzej Susa kritikoi shtyrjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje të gjithë shteteve të Bashkimit Evropian të ofrojnë një rrugë të qartë antarësimi për Ballkanin Perëndimor.
Kritikat e presidentit polak u cilësuan nga shumë analistë si një përplasje mes shteteve të lindjes dhe perëndimit, përplasje që u vunë në dukje dhe gjatë negociatave për caktimin e emrave të rinj drejtues të politikës së BE.
Përballë deklaratës së presidentit Polak, Franca ka tashmë një qëndrim të qartë mbi zgjerimin e BE, i cili nuk do të përkrahet nga qeveria franceze për shkak të një procesi të brendshëm reformimi, i cili shihet si prioritar nga presidenti Macron.

Thirrjes për hapjen e shpejtë të negociatave ju bashkua dhe presidenti bullgar Boris Borisov, i cili do të udhëheqë samitin e rradhës në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, ndërsa disa javë më parë, në emër të Presidencës rumune të BE-së, ministri i Çështjeve Europiane, George Ciamba, tha para takimit në Luksemburg të Komisionit Evripian se Rumania kishte bërë shumë në drejtim të nxitjes së procesit të zgjerimit të BE-së.
“Tani Rumania është duke u përpjekur që të gjejë një mënyrë që të jetë sa më angazhuese dhe konstruktive, por që në të njëjtën kohë do të shërbente për të ruajtur ekuilibrin strategjik dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Europën. Ruajta e stabilitetit të rajonit është me rëndësi për Bashkimin Europian”, tha më tej z. Ciamba.
Edhe ministri çek i Punëve të Jashtme, Tomáš Petříček, foli në favor të hapjes së bisedimeve të pranimit për dy shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë gjatë punimeve të samitit, përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini ka kundërshtuar gjithashtu deklaratat e presidentit Macron mbi ndalimin e procesit të zgjerimit të BE.
Duke ritheksuar bindjen e saj për hapjen e negociatave për Shqipërië dhe Maqedoninë e Veriut, Mogherini deklaroi se: “Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh.”
Mungesa e financimeve për Shqipërinë
Një tjetër zhvillim negativ nga samiti është mungesa e projekteve zhvillimore nga ana e qeverisë shqiptare, e cila shkaktoi që vendi ynë të kthehet pa përthithur asnjë investim nga paketa 180 milonëshe e ofruar për vendet e rajonit.
Arsyeja kryesore lidhet me kontratat koncensionare të programit të Partneritetit Publik Privat. Duke qënë se, projektet e deritanishme janë ezauruar, Shqipëria nuk merr më grante nga Bashkimi Europian.
Në total 4 vitet e fundit, vendi ka arritur të thithë vetëm 214 milionë euro investime nga fondet e planifikuara të BE për Ballkanin, kryesisht në fushën e transportit dhe energjisë.
E kundërta ka ndodhur në Samit me vendet e rajonit, të cilat kanë dalë me jo pak përfitime. Plot 3 projekte në fushën e transportit dhe gazit natyror kanë marrë financimet e Unionit në Bosnje dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe Kosova ka përfituar rreth 27 milionë euro për linjën hekurudhore, ndërsa Serbia do të ndërtojë me finacimet e BE një linjë të re interkonjeksioni.
Në pritje të samitit të rradhës, pritet që dhe Brukseli të ketë një program më të qartë e një qëndrim konkret mbi vijimësinë e integrimit të rajonit. Deri në samitin e rradhës, e vetmja gjë e sigurt mbetet siguria me të cilën shtetet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë vazhdimin e negociatave dhe përkrahja e një grupi të rëndësishëm shtetesh anëtare, që rajonin e shohin si të pandarë nga pjesa tjetër e kontinentit.
