Në fjalimin e saj të parë mbi Gjendjen e Bashkimit Evropian, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen adresoi planin e Bashkimit Evropian për rimëkëmbjen ekonomike, daljen nga kriza dhe ristrukturimin e ekonomisë drejt alternativave më të pastra e të sigurta, si ekonomia e gjelbër dhe përdorimi i inteligjencës artificiale për të nxitur zhvillimin ekonomik.
Presidentja e Komisionit Evropian tha se Evropa duhet të mbrojë jetët e njerëzve dhe mirëqenien e tyre, në mes një rikthimi të valës së pandemisë së koronavirusit.
Duke përshkruar përparësitë e Komisionit për vitin e ardhshëm, ajo gjithashtu adresoi të drejtat e njeriut, migracionin, Brexit dhe teknologjinë e nesërme.
Për emetimet e gazrave serrë, Von der Leyen vendosi një qëllim reduktimi deri në 55% të emetimeve aktuale deri në 2030, dukshëm më i lartë se objektivi aktual prej 40%.
Ajo premtoi të stabilizojë ekonominë dhe të koordinojë përgjigjen globale ndaj pandemisë së koronavirusit. Von der Leyen tha gjithashtu se BE do të ketë një qasje të re për migracionin me një “pakt të ri”, duke u bërë thirrje vendeve anëtare të marrin përgjegjësitë që u takojnë.
Pakti i ri i gjelbër?
Qëllimi i ri i gjelbër i vendosur për t’u arritur deri në vitin 2030 nga shtetet anëtare të BE, është reduktimi me 55% i emetimeve aktuale të gazrave serë, më tepër se nga se ishte planifikuar një vit më parë, por ende më pak se pritshmëritë e një grupi të madh deputetësh të Parlamentit Evropian.
Këto të dhëna janë publikuar nga zëra pranë Komisionit, por ende nuk janë zyrtarizuar, pasi duket se shtetet janë ende duke diskutuar mbi kushtet e një marrëveshjeje.
Secili institucion ka pozicionin e tij në lidhje me paktin e ri për klimën. Kreu i Komisionit të Mjedisit të Parlamentit Evropian, eurodeputeti francez Pascal Canfin, dëshiron të shkojë më tej dhe të shohë emetimet e gazeve serë të ulura me 60% krahasuar me nivelet e arritura në 1990.
Ai argumenton se 40% nuk është e mjaftueshme dhe nuk është në përputhje me marrëveshjen e klimës së Parisit.
“Kjo është arsyeja pse ne si Komision e ngritëm këtë objektiv në minus 60%.” shton ai.
Por kjo ambicie nuk ndahet nga të gjithë deputetët në Parlamentin Evropian. Grupi i Konservatorëve, ECR, beson se një objektiv i tillë mund të dëmtojë vendet e punës, investimet dhe inovacionin.
Zbatimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut
Sundimi i ligjit ndihmon në mbrojtjen e njerëzve nga sundimi i më të fuqishmëve.
Komisioni këtë muaj do të miratojë raportin e parë vjetor të sundimit të ligjit, për të zbuluar problemet brenda unionit dhe për të treguar zgjidhjet. Ne duam të sigurohemi që nuk ka prapavijë. Ne do të sigurojmë që paratë e buxhetit tonë do të mbrohen nga çdo mashtrim, korrupsion ose konflikt interesi: kjo nuk mund të negociohet.
Shkeljet e shtetit ligjor nuk mund të tolerohen.
Unë do të luftoj për përparësinë e ligjit të BE-së, lirinë e shtypit, pavarësinë e gjyqësorit.
Vlerat evropiane nuk janë për shitje dhe janë më të rëndësishme se kurrë.
Emigrimi është diskutuar prej mjaft kohësh. Ai i ka dhënë formë shoqërive tona për shekuj me radhë dhe ka pasuruar kulturat tona.
Kriza e vitit 2015 shkaktoi shumë përplasje midis vendeve anëtare. Nëse mund të bëjmë kompromise pa cënuar parimet tona, mund të bëjmë përparim.
Ne do të paraqesim një propozim të ri. Të shpëtosh jetë në det nuk është opcionale. Ato vende më të ekspozuara se të tjerët duhet të jenë në gjendje të mbështeten në solidaritetin e të gjithë BE-së.
Ne do të punojmë për “globalizimin e drejtë”, duke këmbëngulur për drejtësi dhe një fushë me rregulla të barabarta loje.
37% e buxhetit së Gjeneratës Tjetër do të shpenzohet direkt në projektet e Marrëveshjes së Gjelbër.
“Ne do të përdorim teknologjinë dixhitale për të ndërtuar një shoqëri më të gjelbër, do ta bëjmë së bashku për të çuar përpara Evropën.”, tha Von Der Leyen në fund të fjalimit të saj.
Burimi: Euronews
Burimi i fotos: European Commission/Twitter