Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duket se po ecën me ritme të ngadalta dhe të ndryshme për shtetet kandidate. Nën drejtimin e presidencës rumune, pritet që Malit të Zi dhe Serbisë t’i bashkohet dhe Shqipëria me Maqedoninë e Veriut në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Në prag të vendimit që pritet të merret në muajin qershor, javën e shkuar deputetë të Parlamentit Evropian dhe ekspertë të zgjerimit diskutuan sundimin e ligjit në procesin e pranimit në BE, gjatë një dëgjese të përbashkët publike.
Seanca, e organizuar bashkërisht nga Komisioni i Jashtëm i PE dhe Komiteti i Lirive Civile mori gjithashtu në shqyrtim përparimin e bërë dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen vendet kandidate aktuale të BE-së në përmbushjen e kritereve themelore të unionit.
Para se të aderojë në Bashkimin Evropian, secili vend kandidat duhet të përmbushë të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit, të cilat janë rregullat themelore që përcaktojnë nëse një vend ka të drejtë të bashkohet me bllokun apo jo. Megjithatë, rastet e mëparshme kanë treguar se këto kritere ndonjëherë paraqesin sfida të konsiderueshme dhe se monitorimi i tyre pas pranimit në BE mund të jetë i vështirë.
Gjatë diskutimeve, Drejtori i Përgjithshëm për Negociatat dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielsson, shpjegoi rolin e sundimit të ligjit duke e cilësuar atë si një vlerë thelbësore të Bashkimit Evropian. Përsa i përket shteteve kandidate, pavarësisht përpjekjeve, ato mbeten ende shumë prapa standardeve të BE-së në fushën e zbatimit dhe sundimit të së drejtës.
“Shumë vende që dëshirojnë të bashkohen me BE-në janë ende larg arritjes së kritereve dhe në disa prej tyre kemi hasur dhe përkeqësim të situatës”. Sipas tij vendet kandidate duhet të tregojnë vendosmërinë e tyre për të ecur përpara me procesin e pranimit në BE.
Për Presidentin e Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, një rëndësi të madhe në procesin e sundimit të ligjit kanë Gjykatat Kushtetuese, të cilat duhet të jenë të pavarura për të ruajtur një balancë mes shumicës dhe pakicës. Politikanët shpesh tundohen t’i sulmojnë këto gjykata kur nuk u pëlqejnë gjykimi dhe një tendencë e tillë është parë dhe në shtetet lindore anëtare të BE-së.
“Ne kemi nevojë për një qasje shumë të sofistikuar. Duhet të gjejmë një ekuilibër ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies dhe një ekuilibër mes standardeve ndërkombëtare dhe situatës në këto vende. Përpos kësaj, duhet të vazhdojmë të japim mbështetje për shtetet e kandidate”.
Gjatë diskutimeve u përmend dhe situata aktuale politike dhe perspektiva e saj, ku duket se populizmi po prek dhe shtetet e Ballkanit dhe po minon të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian.
“Garantimi i zbatimit të ligjeve dhe të së drejtës duhet të zbatohet jo vetëm për Brukselin, por dhe për të mirën e qytetarëve në shtetet kandidate. Është e qartë se pa një zbatim të prekshëm dhe reforma lidhur me sundimin e ligjit, procesi i pranimit në BE nuk do të jetë i mundur. Kapitujt 23 dhe 24 janë çelësi për procesin e mëtejshëm të pranimit në BE “, ishte konkluzioni i këtij takimi me eurodeputetët dhe ekspertët e integrimit, në prag të vendimit të qershorit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. /k,j
Burimi: European Western Balkans