Analistët thonë se ekonomitë në zhvillim mund të përballen me pasoja nga tronditjet që vijnë nga Britania, e cila mund të largohet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje. Ndërsa Evropa, dhe veçanërisht Britania, do të goditeshin më shumë nga një Brexit pa marrëveshje, efektet në rrugët tregtare globale dhe në zinxhirët e furnizimeve mund të kenë pasoja shumë përtej kontinentit.
Brexit do të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Evropian – por edhe me qindra vende të tjera me të cilat Britania aktualisht bën tregti me kushtet e BE-së.
Londra ka negociuar marrëveshje të reja tregtare pas Brexitit me disa vende – përfshirë vendet e Amerikës Qendrore, Zvicrën dhe Korenë e Jugut, e të tjera.
Por kjo lë pezull tregëtinë me qindra shtete – duke filluar nga ato me ekonomi më të vogla, e deri tek gjigandët si Japonia dhe Kanadaja – me të cilët bashkëpunimi tregtar do të kryhej sipas kushteve të Organizatës Botërore të Tregtisë pas një Brexit-i pa marrëveshje. Dhe arritja e marrëveshjeve të reja tregtare nuk do të jetë e lehtë.
“Shumë vende me të cilat përpiqemi të bëjmë marrëveshje tregtare do të na thonë,‘ Po, kjo do të ishte shumë mirë. Do të dëshironim të dimë se cila do të jetë marrëdhënia juaj me Bashkimin Evropian përpara se të nënshkruajmë një marrëveshje me ju. “Kështu që të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel”, thotë Anand Menon me organizatën UK in a Changing Europe Program.\
Kryeministri britanik Boris Johnson mbetet optimist se Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga BE me marrëveshje, por ai ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se Brexiti do të ndodhë në fund të tetorit edhe pa marrëveshje, po të mos jetë rënë dakord partitë politike për konsensus.
Jean Claude Juncker gjithashtu deklaroi javën e kaluar në parlament, “një Brexit pa marrëveshje mund të jetë zgjedhja e Mbretërisë së Bashkuar, por ajo kurrë nuk do të jetë e jona”.
Kjo ndodhi në një njëjtën ditë, kur kreu i Federatës së Industrive Gjermane, Joachim Lang, bëri të ditur se zgjatja e afatit të daljes së Britanisë së Madhe nga BE do t’u shkaktonte bizneseve gjermane “shpenzime të panevojshme”.
Pas debatit të së mërkurës, Parlamenti Evropian ka vendosur të miratojë një rezolutë, e cila të përshkruajë shqetësimet e Parlamentit në lidhje me daljen e afërt të Mbretërisë së Bashkuar nga BE, e planifikuar aktualisht për në 31 tetor.
Burimi: shqiptarja
Burimi i fotos: Flickr