Kriza politike në vend dhe mungesa e dialogut politik mbeten ende shqetësuese për zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pas largimit të deputetëve të partive opozitare nga Parlamenti dhe protestave të përsëritura të opozitës, ditët e fundit po shtohen zërat e bojkotimit të zgjedhjeve lokale të qershorit nga koalicioni opozitar.
Muaji qershor është dhe muaji kur pritet vendimi i Bashkimit Evropian për miratimin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendim ky që do të paraprihet nga zgjedhjet parlamentare evropiane, rezultati i së cilave mund të ndryshojë dhe politikat e ardhshme të zgjerimit të BE.
Reagimi i rradhës ka ardhur nga Komisionieri për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johannes Hahn, i cili sërish në komunikimin e tij bën apel që të gjitha forcat politike në vend të punojnë së bashku për stabilitet dhe reformat e integrimit.
Në një postim në rrjetin social Twitter ai shkruan:
“Është mirë të flasësh me njeriun tonë në Shqipëri, Amb. Soreca, përpara raporteve të zgjerimit të Komisionit Evropian në pranverë. Çështje thelbësore është që të gjitha forcat politike në vend të punojnë së bashku për stabilitet dhe për reformat, këto javë vendimtare, në interes të qytetarëve të tyre”, shkruan ai, teksa publikon foton e takimit me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Soreca.
Si deklarohet dhe në postimin e komisionerit Hahn, në javët në vijim pritet të publikohet raporti i përvitshëm mbi hapat e integrimit ku do të mësohet nëse vendi ynë përfiton ose jo hapjen e negociatave. /k.j