Një ligj i ri që hyn në fuqi nga java e ardhshme do të ndëshkojë marrëdhëniet brenda të njëjtës gjini dhe tradhtinë bashkëshortore me vdekje në mbretërinë e vogël të Bruneit në Azinë Juglindore.
Duke filluar nga data 3 prill, çdo individ i shpallur fajtor për veprat penale të mësipërme do të vritet me gurë, sipas një kodi të ri penal. Dënimi do të “dëshmohet nga një grup muslimanësh”.
Ligjet e reja rigoroze të vendit u shpallën në vitin 2014 dhe janë implementuar gradualisht në mbretërinë që udhëhiqet me ligje islamike.
Faza e fundit e zbatimit, duke përfshirë dispozitat e reja, u shpall në faqen e internetit të Prokurorit të Përgjithshëm të Bruneit më 29 dhjetor 2018.
Grupet e të drejtave të njeriut ishin të shpejtë për të shprehur kundërshtimin dhe indinjatën me dispozitat e reja në kodin penal, i cili gjithashtu do të urdhërojë amputimin e gjymtyrëve si një dënim për vjedhje.
Brunei u bë vendi i parë në rajon që miratoi ligjin e sheriatit në vitin 2014, një sistem ligjor islamik i cili përshkruan dënime të rrepta trupore.
Mbretëria e vogël e pasur me naftë me pak më shumë se 450,000 njerëz ndodhet në ishullin e Borneos, pranë vendeve të moderuara islamike të Indonezisë dhe Malajzisë.
Në krahasim me fqinjët e saj, Brunei është rritur konservativ në vitet e fundit, duke përfshirë ndalimin e shitjes së alkoolit për popullsinë. /k.j