
Fotoja e më sipërme, e marrë nga një artikull i Porta Vendore, tregon “flotën” zjarrfikëse të një qyteti X në Shqipëri. Edhe pse e trishtë si foto, flet për një realitet akoma më të vështirë të botës “jashtë Tiranës”, ku ka ende qytete e komunitete të vendit, që nuk kanë asnjë automjet të mirëfilltë zjarrfikës, apo dhe aty ku janë, janë makina fuoristradë të improvizuara.

Fotoja e mësipërme është tashmë e njohur për të gjithë, një prej makinave të Policisë e cila shpërndan protestuesit në Tiranë me ujë, e shoqëruar me dhjetëra forca speciale që godasin protestuesit e gjakosur e spërkasin me spraj lotues.
Pamje të ditës së djeshme nuk janë të reja për këdo që ndjek aktualitetin në Evropë dhe jo vetëm. Protestë kundër dhunës policore, dhunë më e shtuar policore, vandalizëm i shtyrë nga tensionimi i situatës.
Duke u përpjekur të shmang paralelizmat me vende të tjera, dua që të përqëndrohem te paralelizmat brenda vendit. Pse dhunon Policia e një vendi që sheh protesta qytetare një herë në 30 vite? Një vendi që nuk ka prodhuar asnjë shembull dënimi të korrupsionit shtetëror, apo trafikimit dhe kanabizimit në masë të tij?
Një vend ku Policia nuk ka makina zjarrfikëse, a e ka autoritetin të ushtrojë dhunë brutale mbi qytetarët e tij? Një vend ku në 9 muaj pandemi, njerëzit vdesin në shtëpi, në mungesë së mjekëve që të mund të plotësojnë kapacitetet spitalore?
A e ka autoritetin policia e shtetit të përdorë autobotë modernë dhe hedhës uji, plumba gome dhe kimikate në masë?
Autoriteti dhe e drejta e policisë për të ushtruar dhunë, si ushtruese ligjore e monopolit të dhunës, nuk u lind nga ministri apo drejtuesit, por nga qytetarët.
Largimi i Sandër Lleshajt vërtet nuk do zgjidh mjaftueshëm probleme për të sjellë sërish situatën në pseudo-normalitetin e mëparshëm, por të paktën largon nga detyra përgjegjësin e militarizimit të policisë, atij që jo vetëm nuk zgjidhi probelmatikën e kanabisit, vrasjeve në rrugë, eleminimeve mafioze në mes të ditës, por tregoi se si mund të përkeqësohet edhe më shumë bashkëjetesa mes qytetarëve dhe institucioneve, kur pushteti dhe arroganca bëhen bashkë.
Pamje të dhunës policore kemi dëshmuar dhe më parë, së fundi gjatë prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ku për ironi të situatës kamera që dëshmoi prishjen e Teatrit ishte instaluar në tarracën e Ministrisë së Brendshme.
Aty dëshmuam dhunë ndaj të rinjve në mes të ditës, kur forcat e ndërhyrjes së shpejtë suleshin ndaj një të riu që mbante simbolikisht një libër në dorë dhe refuzonte në dorëzohej.
Në Shqipëri, policia dhunon se nuk ka luksin e të mbajturit të trupi drejt para arrogancës së drejtuesve. Nuk ka krenarinë dhe dinjitetin e të refuzuarit të marrin urdhëra nga individë me të shkuar të panjohur, për të cilët vetingu mbaroi pa nisur mirë.
Policia dhunon se nuk ka autoritet. Dhunon se ndihet inferiore ndaj drejtuesve që i shtypin, me të njëjtën forcë dhe arrogancë që shtypin dhe qytetarët në protesta.
Policia dhunon, se i jepen urdhra të luftojë shitësit e misrit përpara krimit të organizuar, familjet që fitojnë bukën e gojës me dinjitet, përpara kriminelëve të mbrojtur me imunitet parlamentar.
Policia dhunon, se nuk ngrihet dot në protestë dhe se individë si Sandër Lleshaj, masakrojnë ditë për ditë atë pak dinjitet të burrave dhe grave që kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri, apo që nuk kanë pasu opsion tjetër.
Policia dhunon, se vjen nga qytete ku nuk ka zjarrfikëse e mbi të gjitha, se prioritet i autoriteteve nuk është mirëqenia e asnjërit prej ne, por mirëqenia dhe mbrojtja e pushtetit që fshihet pas dyerve të blinduara, në mes të qytetit, dhe që nxjerr makinerinë e tij të propagandës të vajtoj djegien e bredhit të vitit të ri, përpara jetës së një të pafajshmi.