Ditën e sotme, në ditën e fundit të punës së legjislaturës aktuale të Kuvendit, pritet të votohet emri i Armela Krasniqit si kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Pak orë para fillimit të seancës, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bëri thirrje për shtyrjen e votimit për në shtator, me fillimet e punës së legjislaturës së re, ndërkohë që opozita dhe zëra të shoqërisë civile më parë kanë ngritur shqetësimin e tyre për vendosjen në krye të AMA të Armela Krasniqit, e cila më parë ka qenë zëdhënëse e Partisë Socialiste dhe e angazhuar publikisht me këtë forcë politike. Mes viteve 2013 dhe 2017, Krasniqi ka punuar si Drejtoreshë e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun për zyrën e Kryeministrit.
Krasniqi aktualisht është drejtuese e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, dhe është në garë për kreun e Autoritetit të Mediave Audovizive, një institucion i pavarur me rol tepër të rëndësishëm në sigurimin e mirë-funksionimit të mjedisit mediatik në vend. Në garë përballë saj është Alketa Dibra, pa eksperiencë të mëparshme si gazetare dhe një figurë jo e njohur publikisht.
Funksionet, pavarësia dhe roli i Autoritetit të Mediave Audiovizive është sjellë në vëmendje të publikut të gjerë gjatë diskutimit për miratimin e ligjit anti-shpifje, i cili do e kthente AMA-në në një autoritet “gjysëm gjyqësor” i cili do të dënonte rastet e shpifjes apo lajmeve të rreme të shpërndara nga gazetarët.
Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s.
Delegacioni i Bashkimit Evropian
Në deklaratën e tyre, zyra e delegacionit të BE në Tiranë shprehet se: “Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.”
Në deklaratën e tyre bëhet thirrje për autoritetet që të marrin në konsideratë emërimin e kryetarit të ri të AMA-së së bashku me anëtarët e saj në legjislaturën e re të kuvendit, duke i dhënë më legjitimitet institucionit në fjalë.
Mbi votimin e sotëm ka reaguar dhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri, duke theksuar nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias.
Edhe pse është dërguar Kuvend pas rishikimit të tij me rekomandimet e dhëna nga Këshilli i Evropës, ligji anti-shpifje ende nuk është votuar. Janë ende prezente shqetësimet për përmbajtjen e këtij ligji, i cili është duke u kthyer në një rrezik të qëndrueshëm mbi lirinë e shtypit në Shqipëri, pasi ai mund të miratohet nga momenti në moment në Kuvend.
Në pritje të një vendimi të mundshëm për hapjen e negociatave si dhe zgjedhjeve të muajit Prill, mazhoranca e la në harresë ligjin anti-shpifje. Zgjedhjet u fituan sërish nga Partia Socialiste dhe vendimi për hapjen e negociatave u shty edhe më tej.
Me përpjekjet dhe nxitimin e saj për miratimin e një figure politike në ditën e fundit të legjislaturës aktuale, pa një opozitë funksionale në parlament, mazhoranca duket se po përpiqet sërish të nis përpjekjet e saj për rregullimin e shtypit dhe medias në vend, përmes AMA-së, e cila vijon të mbetet një autoritet lehtësisht i influencueshëm nga Kuvendi.
Javën e shkuar, kundër zhvillimeve të fundit për zgjedhjen e kreut të ri të AMA nga kuvendi aktual, reagoi dhe rrjeti i gazetarëve “Safe Journalists”, në një letër publike drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, OSBE dhe Këshillit të Evropës në Tiranë. Në letër shprehet shqetësimi i rrjetit të gazetarëve për pavarësinë dhe profesionalizmin e dy kandidatëve për kreun e AMA-s, si dhe rreziku konstant për rikthimin e ligjit anti-shpifje dhe miratimin e tij.
Jemi të shqetësuar për pavarësinë dhe profesionalizmin e dy kandidatëve për Kryetari të AMA-s; të dy kriteret janë thelbësore për lirinë e medias dhe proceset demokratike në Shqipëri
Safe Journalists Network
Ata gjithashtu sjellin në vëmendje se me legjislaturën aktuale, është e pamundur zgjedhja e anëtarëve të bordit, të cilët duhet të mbështeten nga forca të ndryshme politike në Kuvend. Me Kuvendin aktual zgjedhja e anëtarëve të bordit do të sillte gjithashtu dyshime mbi pavarësinë e kësaj strukture.
Nëse kryetarja e re e AMA ka një sfond politik dhe zgjedhja e anëtarëve të bordit do të bëhet nga kuvendi aktual, shqetësimet e gazetarëve për pavarësinë e këtij institucioni qëndrojnë edhe më shumë, pasi do të jetë AMA institucioni i cili pavarësisht rishikimit dhe rekomandimeve të kryera mbi anti-shpifjen, do të mbetet rregullatori i medias në Shqipëri. Sado i rishikuar të jetë ky ligj, në momenti i miratimit do të implementohet nga një institucion me legjitimitet dhe pavarësi politike të diskutueshme.