Komedia “Zanafilla” u shfaq të martën në skenën e improvizuar në qendrën kulturore “Tulla” dhe për 30 minuta ofroi momente shumë gazmore për të pranishmit, teksa përballë tyre qëndronin katër aktorë në rolin e Adamit, Evës, engjëllit, djallit dhe zotit – që në këtë rast ishte një grua.
Shfaqja e mbështetur nga Aleanca LGBT dhe e shkruar nga Luana, e cila ishte në petkun e Evës dhe me regji të Ina Baqoshit, “Zanafilla” solli një tjetër perspektivë të krijimit të njerëzisë sipas Biblës.
Eva, gruaja e parë në tokë, është në fakt një grua transgjinore. Në këtë veprër ajo e ‘gjëmon’ lirinë e saj dhe kërkon medoemos të ketë një fëmijë, liri të cilën ia jep pikërisht mëkati, teksa ajo ha “mollën e ndaluar” që rritet në pemën e jetës.
Simbolikisht, krijimi i një gruaje nga një burrë, nënkupton për Luanën që feminiliteti, i pritur prej vajzave dhe grave, në fakt është krejt natyror edhe te burrat.
“Gruaja në Bibël na erdhi prej brinjës së Adamit, pra feminiliteti buron nga një trup mashkullor. Përderisa kjo gjë është normale, edhe një mashkull mund ta shprehë veten e tij në femër”, shpjegon për Historia Ime Luana.
Ina Baqoshi rrëfen se ftesa për të qenë regjisore e veprës erdhi rastësisht, teksa ndiqte disa nga provat e kastit të aktorëve. Duke shtuar ide si mund të përmirësohej skenarisht shfaqja, ajo iu bashkua grupit.
“Unë jam ndjerë madje edhe më mirë se ç’jam ndjerë duke punuar me të klasës apo me njerëz të mitë. Unë jam njeri i ftohtë por në mesin e atyre, doja s’doja unë mbushesha me puthje, përqafime, komplimente gjatë gjithë kohës dhe jam ndjerë vërtetë shumë mirë”, – rrëfen Baqoshi.
Rregullat e vendosura nga zoti, në veprën “Zanafilla”, gradualisht thyhen edhe nga engjëlli dhe Adami, e në fund ata lihen të lirë të dashurojnë kë të duan, teksa gëzojnë jetën në tokë.
“E vetmja ndjenjë që ka lindur bashkë me ju është dashuria. Jeni të lirë të dashuroni!”, – kumbon zëri i zotit në fund të komedisë, që pasohet më pas me duartrokitje të të pranishmëve.
Një prej aktorëve tregon se u ndje shumë mirë në atë mjedis gjatë vënies së pjesës në skenë, duke marrë në konsideratë edhe se nuk ka bërë ende “coming out”.
“Duke qenë se këtu në Shqipëri paragjykohesh shumë, në një farë forme, edhe pse jam rritur jashtë, prapë se prapë kur vij këtu në Shqipëri ndjehem në një farë forme i detyruar që të aktroj, që mos të dukem që jam gej, vetëm prej faktit që paragjykimet më lëndojnë”.
Por nga ana tjetër, autorja e veprës beson se shoqëria shqiptare gradualisht po zhvillohet, e dëshmuar kjo nga eventi si më sipër, pjesëmarrja dhe vlerësimet e shumta pozitive që ka marrë pas mbarimit të komedisë.
“Shqipëria po ndryshon në mentalitet. Ne po luftonim që të fusnim transgjinorët në punë dhe tani, një transgjinor tani krijon një kolektiv pune dhe në një farë mënyrë punëson të tjerë. Këto gjëra të japin shpresë që ti të vazhdosh”, – përfundon Luana.
Kjo shfaqje është realizuar me mbështetjen e SOGI Unit të Këshillit të Evropës.