Për një periudhë tre mujore Historia Ime ka monitoruar dy televizione kombëtare Top Channel dhe Klan TV si dhe dy media online Syri.net dhe Shqiptarja.com. Qellimi i këtij monitorimi ka qenë evidentimi i gjuhës së urrejtjes, asaj seksiste dhe diskriminuese ku gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumta raste të tilla.
Më tepër gjatë periudhës së fushatës elektorale kanë qenë të shumta rastet flagrante të targetimit të grave kandidate me qëllim përfitimi politik.
Disa nga gjetjet më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe të monitorimit të medias kanë qenë përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe asaj seksiste ndaj grave dhe vajzave në mediat online. Pjesa më e madhe e shkrimit të artikujve nuk kanë patur një autor dhe jane shkruar më tepër nga redaksia.
Artikujt gjatë periudhës prill kanë patur më tepër në fokus fushatën elektorale dhe zgjedhjet, ndërkohë që është krijuar shumë pak hapësirë për grupet e tjera të margjinalizuara. Më tepër fokusi i artikujve ka qenë tek aktualiteti politik dhe kronikat rozë, por shumë pak tek socialet.
Gratë vijojnë të mbetën grupi më i targetuar
Një rast që mund të përmendim është ai i gjyqtares në Gjykatën e Elbasanit, Enkelejda Kapedani e cila u pezullua për shkak të disa fotove dhe videove personale të publikuara në rrjetin social “Tik Tok”.
Ky si lajm mori një bujë të madhe në të gjitha mediat online dhe rrjetet sociale, duke u shoqëruar me gjuhë të papërshtatshme për të diskretituar dhe ofenduar vazhdimisht gjyqtaren, pasi ato ishin video te papërshtatshme për pozicionin dhe punën e saj si dhe thyenin Kodin e Etikës së gjyqtarëve. Sensacionalizimi i rastit në fjalë vihej re që në titull të lajmit, ku rasti shoqërohej me komente të tipit “bënte modeling”; “gjyqtarja e tik-tok” “Gjyqtarja seksi e Elbasanit namin në Tik-Tok”; “Gjyqtarja e ‘Tik-Tok’ shtang hetuesit: Ja kush m’i publikoi videot!” etj.
Ndjekësit e Historia Ime gjithashtu kanë raportuar dhjetëra raste gjuhe urrejtjeje dhe diskriminuese, e cila përdoret kryesisht në rrjete sociale apo në portale te ndryshme mediatike online.
Në emisionin “Në kurthin e Piter Pan”, i ftuar Spartak Ngjela, po u thonte vajzave të vogla “Duhet të qeshni sepse përndryshe nuk dashurohet askush me ju”. E ndjeva shumë seksiste dhe diskriminuese, ndonëse qëllimi mund të ketë qenë edukativ në këndvështrimin e tij.
Deklaron më sipër një nga ndjekësit tanë, që ju përgjigj thirrjes për raportimin e gjuhës diskriminuese në mediat visive dhe ato online.
Një tjetër shembull negativ, por tepër i përsëritur është objetivizimi i vajzave dhe grave në artikuj, duke u shoqëruar gjithmonë me fjalën foto që në titull: “FOTO| Arjola Demiri: Me mua në pushtet bëni seks dhe qejf.”
Ka pasur gjithashtu dhe raste të gjuhës së papërshtatshme që targeton djemtë dhe burrat, sin ë rastin e një opinion të Enkel Demit i cili bëhet lajm me titullin: “Enkel Demi: Rama, Erdoganist i pa bërë synet”, por në raport me gratë, burrat janë sërish më pak të ekspozuar ndaj kësaj gjuhe.
Dhuna seksuale, luftë për klikime
Gjatë kësaj periudhe ka patur edhe lajme ku në fokus ka qenë dhuna seksuale dhe përdhunimi i një të miture. Rasti konkret ka qenë i vajzës 15 vjecare nga Mirdita e cila u përdhunua në grup prej 5 personave.
Ka qenë një numër relativisht i lartë i artikujve dhe shkrimeve nga më të ndryshmet referuar kësaj cështjeje. Ajo që dua të theksoj është se përpos faktit që shumë e kanë përkrahur vajzën dhe zhvlerësuar aktin makabër të këtyre pesë personave, kanë qenë edhe shumë të tjerë të cilët kanë shprehur hapur urrejtje ndaj vajzës me mendimin se ajo e ka pranuar vetë një gjë të tillë.
Prezumimi i fajësisë, zbulimi i identitetit të viktimës dhe autorëve të prezumuar, si edhe publikimi i dëshmive origjinale të hetimit, kanë mbizotëruar në mbulimin mediatic që i është bërë rastit në fjalë.
Ky monitorim që kemi kryer na ka shërbyer si një formë për të kuptuar se sa janë të prekshme këto fenomene ose problematika sociale dhe si mediat dhe gazetaret i trajtojnë ato. Këtu përfshimë jo vetëm grupet e margjnializuara, por edhe njerëz apo individ të cilët i përkasin një statusi të caktuar social bazuar në profesionin apo fushën ku ata punojnë.
Gra që ushtrojnë pozita publike, punonjës në institucione dhe personazhe publikë, organizata, përfaqësues dhe përfaqësuese nga media, arti dhe kultura.
Të gjithë këto raste dhe ky monitorim i vazhdueshëm i Historia Ime, tregon se sa larg standardeve etike janë ende mediat kryesore në vend, qofshin ato television, apo media online.
