Arlis Alikaj
COVID-19 ka ndryshuar ndjeshëm jetën dhe përditshmërinë tonë. Prania e virusit ka kthyer në realitet distancimin fizik, ka mbyllur shkollat, bizneset, dhe ka kufizuar jetën sociale dhe përditshmërinë shoqërore, duke rezultuar në ndryshime të mëdha në funksionimin e përditshëm.
Duke pasur parasysh natyrën shoqërore të qenieve njerëzore, ne po gjejmë mënyra për t’u përshtatur me COVID-19 dhe kushtëzimet që janë krijuar nga kjo pandemi.
Personat që jetojnë me HIV (PJHIV) kanë qenë veçanërisht të ekspozuar gjatë kohës së COVID-19 në tërësinë dhe kompleksitetin e ndikimit që pati pandemia në jetën e çdo individi. Pandemia e koronavirusit krijoi një sërë disavantazhesh joproporcionale dhe me pasoja socio-ekonomike tek personat që jetojnë me HIV.
Sipas Shoqatës së Personave që jetojnë me HIV në Shqipëri, problematikat e këtij komuniteti janë komplekse dhe situate e krijuar prej Covid ka ndikuar në disa aspekte.
“Kufizimet në lirinë e lëvizjes, patën ndikim në aksesin e trajtimit për këto persona, shërbime të cilat janë përqendruar në klinika që ofrojnë shërbime shëndetësore në Tiranë. Madje edhe sot ekziston frika dhe pasiguria pasi transporti publik ka një rrezik potencial për përhapjen e virusit dhe PJHIV nuk ndihmohen me pajisje mbrojtëse (maska dhe xhel dezinfektues) pa pagesë nga institucionet shëndetësore.”, deklaron drejtuesja e kësaj shoqate, znj. Olimbi Hoxhaj për Historia Ime.
“Në rastet e humbjes së vendit të punës për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, këto persona u përballen me vështirësi të të ardhurave dhe sigurisë ushqimore. Njëkohësisht shërbimet e komunitetit u ngadalësuan ose u ndërprenë gjatë periudhës së karantinës. Aftësia dhe mundësia për të ofruar shërbime ndaj komunitetit tonë u kushtëzua nga ashpërsia e masave të izolimit dhe sigurimi i mbështetjes me bazë materiale.”.
Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për HIV dhe SIDA UNAIDS, që po i nxit njerëzit të veprojnë me mirësi, jo me stigmatizim dhe diskriminim kundrejt këtij komuniteti, shumë zgjidhje për përballjen me Covid-19, mund të gjendet te eksperienca dhe përvoja e mësuar nga epidemia e virusit HIV.
“Njerëzit e prekur nga COVID-19 janë pjesë e zgjidhjes dhe duhet të mbështeten. Qeveritë duhet të respektojnë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e njerëzve të prekur nga COVID-19. Përvojat e mësuara nga epidemia e HIV mund të zbatohen në luftën kundër COVID-19. Ashtu si në përgjigjen e AIDS-it, qeveritë duhet të punojnë me komunitetet për të gjetur zgjidhje lokale. Popullatat kryesore nuk duhet të mbajnë barrën e rritjes së stigmës dhe diskriminimit si rezultat i pandemisë COVID-19.”
Nga të dhënat e mbledhura nga Historia Ime, 5 persona të prekur me HIV dhe 4 familjarë të tyre raportuan vështirësi gjatë pandemisë, përsa i përket marrjes së terapisë dhe shërbimeve pranë Spitalit Infektiv apo Ambulatorit në Tiranë.
3 prej tyre raportojnë se nuk kanë marrë rregullisht terapinë gjatë muajve të parë të pandemisë.
Më tepër për vështirësitë e personave të cilët jetojnë më HIV na flet Anxhelo*.
Ai vjen nga Qarku i Elbasanit. Me Anxhelon takohemi tek kalaja e qytetit të Elbasanit. I shpërqëndruar dhe duke parë rreth e rrotull me pasiguri më në fund arrij ta ul Anxhelon për një çaj. Ai bëhet gati të ndajë me mua sesa e vështirë është të jesh HIV pozitiv dhe të jetosh në një qytezë të vogël larg aksesit të medikamenteve dhe të ndjehesh ‘monstër’ jo njeri që ke nevojë të kërkosh ndihmë.
Anxhelo rrëfen se ka 3 vite që jeton me virusin HIV, ndërkohë që më parë ka qenë dhe përdorues i lëndëve narkotike.
Rikthimi në qytetin e lindjes gjatë periudhës së karantinës, e detyroi Anxhelon të përballet jo vetëm me realitetin e mbyllur dhe paragjykues, por dhe me frikën e mungesës së shërbimeve, terapisë apo ndihmës mjekësore në rast se ai vetë do të prekej nga Covid-19. Duke rikujtuar muajt e parë të karantinës, Anxhelo thotë se: “Kam kaluar shumë stres për shkak se kisha frikë se nëse do të infektohesha me Covid, do të më duhej të paraqitesha pranë strukturave vendore, në bashki apo pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, ku mund të më eskpozohej statusi që jam mbartës i HIV.”
Centralizimi i shërbimeve ka rritur ndjeshëm impaktin e Covid-19 në këtë komunitet
Në vendin tonë aktualisht ndjekja e terapisë për personat me HIV/SIDA kryhet vetëm në Tiranë.
Centralizimi i shërbimit ka qenë burimi kryesor i problemit gjatë muajve të izolimit, gjë e cila konfirmohet edhe nga znj. Hoxhaj.
“Trajtimi dhe kujdesi ndaj personave me HIV/AIDS ofrohet vetëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive dhe Shërbimin e Pediatrisë, si dy strukturat ku ofrohet kujdes i drejtëpërdrejtë për personat që jetojnë me HIV. Ky kujdes i centralizuar bëhet për shumë arsye, përfshirë numrin jo shumë të madh të rasteve, modele të ngjashme të kujdesit në situata të njëjta epidemiologjike si Shqipëria, apo të tjera, si kapacitetet njerëzore dhe logjistike (diagnostike dhe terapeutike) që mund të ofrohen vetëm pranë QSUT-së, si dhe problemet e lidhura me stigmën dhe diskriminimin, sidomos në institucionet shëndetësore të nivelit parësor dhe dytësor.”
Vështirësitë në aksesimin e këtyre shërbimeve nga personat HIV pozitivë me vendbanim jashtë Tiranës u vërejtën edhe gjatë karantinës dhe në periudhën pas saj.
Kufizimi i lëvizjeve në fillim të pandemisë si edhe risku potencial që mbart transporti publik , në periudhën post-karantinë janë faktorë që kanë ndikuar jo vetëm në gjëndjen shendetësore por edhe psikologjike të personave Hiv-pozitivë.
Një gjë të tillë e rrëfen dhe Anxhelo gjatë intervistës, i cili ishte në frikë të marrjes së shërbimit mjekësor, për aq kohë sa nuk ndodhej në Tiranë.
“Nuk ka qendra të shpërndara nëpër rrethe. Ilaçet, mjekimet apo qoftë dhe shoqatat që mbrojnë të drejtat e pacientëve me HIV/AIDS janë vetëm në kryeqytet. Mirëpo, Tirana nuk është Shqipëria, Shqipëria e vërtetë është jashtë Tiranës.”.
Historia Ime kontaktoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë, përmesë një kërkese për informim, mbi numrin e personave hiv-pozitivë që rezultojnë të prekur nga covid-19. Në momentin e shkrimit të këtij artikulli, ende nuk kishte një përgjigje nga Ministria.
Në Nëntor 2020, në një tjetër kërkesë, Ministria e Shëndëtësisë dhe Mirëqenies Sociale, e pyetur mbi numrin e individëve që trajtohen me terapi për virusin HIV, është përgjigjur se pranë Ambulatorit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë, trajtohen me terapi atiretrovirale 652 pacientë.
Një numër ky i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët në muajt e parë të izolimit për shkak të Covid, kishin të vështirë lëvizjen nga qyteti në qytet apo dhe nga Tirana për në ambjentet e Ambulatorit. Kësaj nevoje të qindra pacientëve të prekur me Covid, duket se Ministria dhe autoritetet përgjegjëse nuk u janë përgjigjur plotësisht, duke vendosur në rrezik shëndetin e tyre.
4 nga 5 pacientë raportojnë se kanë pasur probleme si me qasjen në spital, po ashtu edhe me kryerjen e analizave rutinë për virusin HIV.
3 nga 5 prej tyre që janë përgjigjur, raportojnë gjithashtu vështirësi në komunikimin me mjekun apo mjeken specialiste.
I pyetur mbi eksperiencën e tij gjatë pandemisë, Anxhelo deklaron se u prek nga Covid-19 dhe vështirësive të sëmundjes, ju shtua dhe frika e një përkeqësimi të mundshëm, që do të mund të zbulonte dhe statusin e tij në qytetin e vendlindjes.
“Unë dua të ndaj diçka shumë personale. Kur kalova Covid-in, nuk kisha me kë të lidhesha. Nuk merrja dot antiviralët. E kam kaluar sëmundjen i frikësuar në shtrat. Kam kaluar gati në depresion, më vinte të kërkoja ndihmë, po nuk kisha kujt t’i drejtohesha në qytetin tim.”.
Stigma shoqërore dhe impakti i saj në shëndetin mendor
Stigma kundrejt personave Hiv-pozitivë është prezentë në shoqëri dhe prej saj dhjetëra individë të prekur nga HIV, detyrohen të përballen me sfida të shumëfishta, vetëm për të mbajtur konfidencial statusin e tyre, qoftë edhe përpara autoriteteve shëndetësore apo familjes.
“Të kesh Covid dhe të kesh turp të kërkosh ndihmë! Provova dhe disa numra telefoni në Google me disa qendra në Tiranë, por karantina e pandemia i bëri të vështirë njerëzit të arriheshin në telefon. As nuk e kam çuar në mendja ta provoj kontaktin me spitalin.”
Stigma sjell përkeqësim të gjendjes së shëndetit mëndor. Sipas të dhënave të mbledhura nga Historia Ime, 6 prej personave të përgjigjur në pyëtësorin tonë, nuk kanë kërkuar ndihmë psikologjike gjatë pandemisë pranë strukturave publike, ndërsa 3 prej tyre, nuk e dinin që pranë Spitalit Infektiv, ekziston edhe shërbimi i psikologut.
Problematika e shëndetit mendor është vënë në dukje dhe nga Shoqata e Personave që jetojnë me HIV, e cila vë në dukje se duke pasur parasysh nivelet e larta të problemeve të shëndetit mendor, kryesisht ankthin dhe depresionin, që ekzistojnë midis komunitetit të personave HIV pozitivë, efektet e izolimit dhe lëvizja e kufizuar gjatë muajve të mbylljes së vëndit, përkeqësuan më tëj gjendjen e tyre.
“Për më tepër, në masën që COVID-19 po ndikon në mënyrë unike në komunitetet e disavantazhuara, njëjtë po ndikon edhe tek PJHIV, duke pasur parasysh që HIV në mënyrë joproporcionale prek njerëzit nga këto grupe popullatash në gjendje të pafavorshme ekonomike dhe sociale duke i bërë më të dukshme pabarazitë ekzistuese brenda epidemisë së HIV-it.”
Anxhelo i prekur nga padrejtësitë dhe luftën që duhet të bëj ai dhe çdokush si ai, dhe në vend publik, shihte përreth dhe herë ulte e ngrinte zërin. Në përmbyllje të intervistës, ai ka dhe një mesazh për shoqërinë dhe strukturat shëndetësore në vend, për të ndihmuar më tej pranimin shoqëror dhe për tu informuar mbi realitetin e personave që jetojnë me HIV.
Pandemia ishte një mësim, se në situata emergjence, askush nuk do t’ia dijë për këtë shtresë. Mendojnë sikur jemi më pranë vdekjes, ne që jemi të infektuar me HIV. Nëse punëdhënësi të kërkon një vizitë mjekësorë analizash nga mjeku familjes, ai të nxjerr sekretin dhe aty merr fund jeta jote. Autorietetet, por dhe e gjithë shoqëria duhet të punojnë më shumë për tu informuar dhe të jenë më pranues ndaj komunitetit tonë.
*Emri është përdorur për të ruajtur anonimitetin e të intervistuarit.