Problemi i parë, i fundit dhe i vetëm i këtij shkrimi është, ‘’Si do ja vëmë titullin?’’.
Kurioze me brirë? Kurioze pa brirë? Kafshë, dashni, etni? Apo, ‘’Një aleate e çmenme 9 katç’’? Si përfundim titullin ja vendosi vetë, bashkë me detyrën që duhet t’i bëjmë periodike këto shkrime.
Derisa ti bëjme derman edhe titullit, duhet të jem i zhveshur deri në sinqeritet t’ ju them se për të publikuar këtë shkrim, Lurën e kam takuar 7 muaj e gjysëm më parë , dhe numrin ja kam marrë 12 muaj e gjysëm më parë në shkallët e një galerie, ndërsa e kam njohur para 5 vitesh, kur ajo nuk më njihte.
Ky publikim vjen vonë pas përndjekës nga shënimet e bisedës tek Pallati i Operas, drafti dhe shkarravinat nepër aeroporte, konferenca, e punë festivalesh, sot kuptoj që thellë-thellë nuk jam gati për gjykimin kur t’ia dërgoj për ta aprovuar, shtuar edhe turpit nga vonesa.
Megjithatë, nuk dua t’ju tregoj se ça bën e ça s’bën sesa t’ju tregoj se si Lura, me sytë e perënduar, më të vëmendshëm seç duhet, me dy fjalë ka diktuar çka unë mendoj se dua të bëj. Thënë kjo, nuk e justifikoj veten, që isha i papërgatitur që do ma shterrte energjinë, dhe do më furnizonte me një të re.
Flokët elektrizuese dhe oratoria e pllakosur e saj flasin vetë për një kreativitet si për forcë zakoni, dhe një vajzë a grua kozmopolite. Pikërisht një miks kulturor pa emër, e pa stigma, por tipik Nju Jorkez që përveç nevojës pa taksë për të krijuar bashkëjeton me një thirrje të brëndshme për të shfrytëzuar privilegjet.
Ende pa hyrë në klasë të parë, frekuencat i mbante njejtë me valët zanore të muzikës ‘t’jashtme’’ që luhej në festat elitare me dyer e kanate të mbyllura që mbaheshin para viteve 90’ për fëmijët e burrave e grave të shtetit në Bllok, nga ato frekuenca upci-dupci sot prin festat e tingujt me ose pa pije në dorë, në dete, male, qytete dhe në varësi të dasmorëve, edhe në dasma. Gjithmonë me dyer, penxhere, e zemrën hapur.
Ato gosti asokohe, këto të sotshmet, dhe jeta në festë në përgjithësi ajo thotë se janë të çmueshme, prej se njeriu në rrethana ku trupin e ndjen më të lehtë, muskujt i lëviz me ritëm dhe turpin e fut në xhep, njeh atë që të bëhet burrë, njerëz që përfundojnë të stampuar në monedha, ose njërin që do të shkruajë një artikull për ty se ti mendon se je aktiviste e mirë.
Kështu duke përzier njohje të soj-sojshme, privilegje, dhe +/- 3 litra karizëm ti mund të bëhesh një AKTIVISTEEE. Jetë cila me hov për Lura Elezin nisi me kauzën për të drejtat e kafshëve, një bindje që nuk do mënd të sqarohet se pse. Duke servirur veten me opinione, arsye, zë e figurë në vitrinat e mediave asokohe u bë një figurë e lidhur ngushtë me organizatat dhe kauzën. Me të dalë në televizor, qepur e shqepur fushata, aktivitete e slogane, sot mendon që ai reputacion e pat ngecur në aq, duke ju sjellur si satelit. ‘’Kjo e qenve’’.
Dhe kjo për dikë që mbart më shumë është mbytëse.
Duke u parë me ndryshimin sy m’ sy, pa u tremb, sot vazhdon të jetë po e njëjta, me mësimin për të mos i bërë dëm vetes. Nga maratonat sarkastike në InstaStory për fitoren e Donald Trump e misogjinine që mishëron, të ndjellit audiencën me muzikë të mirë në evente të komunitetit LGBT+, në një festival dinjitoz për komunitetin rom në Shqipëri, dhe me shkrimet te LuraLura ajo bën të vetën.
Te se ç’ ka diktuar Lura te unë, bën pjesë edhe një metodë për të jetuar mirë dhe gjatë në ‘’industrinë e aktivizmit’’. Ti bësh gjërat me dinjitet për njerëzit e harruar ‘’underdogs’’, ta bësh me dinjitet jetën për ‘’underdog’’-un më të madh mes nesh, ATDHEUN. Të punosh me më të mirët, dhe ta normalizosh. Kësisoj, kur të rritem dua të bëhem si Lura me të birin, aktivizmin do e filloj në shtëpi me tim bir, t’ ia normalizoj dy djem që duhen, edhe që puthen në rrugë, apo një njeri aseksual që nuk ka interesa seksuale. Ndërsa nesër do nis t’ ia normalizoj babit.
Në ortekun e të qenit një aktiviste e mirë dhe jetëgjatë, pas kërkesës sime të vazhdueshme për arsye, rrethana, e mentalitete ajo i mëshon etjes së pamenaxhueshme për të ditur, të mundurit me përshkru një gjë, send a njeri me më shumë se një fjalë.
Me kërku origjinalitetin, ku pjesë e kërkimit do ti duhet me pranu edhe gjërat që nuk të pëlqejnë, apo me u përgatitë për një bujari të madhe të papriturash.
Nuk dua ti hy ta përkufizoj, as ti bëj biografi për të shtuar fjalët e gjatësinë e rrjedhës së leximit, por shpresoj të jeni kureshtarë dhe në ndonjë fjalë a rresht të keni ngecur për të marrë shënime.
Mua më ka diktuar me punu vetëm me më të mirët, dhe me shfrytëzu privilegjet.