VOTA LGBTQ+!

Nga Isa Myzyraj
3 milionë e 653 qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë thirrur për të votuar të dielën e 14 majit, për të zgjedhur 61 kryetarët e Bashkive dhe Këshillat Bashkiakë.
Fushata zgjedhore është drejt fundit, ndërsa ajo është karakterizuar nga një polarizim i thellë i palëve, ku në kryefjalë kanë qenë akuzat dhe kundërakuzat dhe jo programet me të cilat kandidatët synojnë që të drejtojnë Bashkitë në 4-vjeçarin e ardhshëm!
Të gjithë bashkitë e vendit me përjashtim Shkodrën, qeverisen prej 2019 nga Partia Socialiste pasi Partia Demokratike vendosi aso kohe të bojkotonte zgjedhjet lokale, dhe të mos merrte pjesë në to, duke i dorëzuar në tavolinë pushtetin lokal Edi Ramës i cili udhëheq PS dhe është kryeministër prej 2013.
Çfarë qëndrimi kanë partitë për komunitetin LGBTQ+?
Partia Socialiste e Shqipërisë

Diskutimet e hapura për komunitetin LGBTQ+ në vendin tonë mungojnë nga ana e politikanëve, dhe është e vështirë që të gjejmë një qëndrim publik për të analizuar më tej këndvështrimet e tyre.
Por pavarësisht mungesës së qëndrimeve të qarta, ne do të mundohemi të analizojmë veprimet e tërthorta të partive kryesore dhe liderve për të nxjerrë qëndrimet e tyre.
Pak para zgjedhjeve të vitit 2013, Edi Rama në cilësinë e Kryetarit të Opozitës dhe kandidatit për kryeministër takoi përfaqësuesit e organizatave LGBTQ+ në Shqipëri.
Rama aso kohe tha ndër të tjera se “ ka qenë ndër të parët, që ka folur për çështjet e LGBT që në fillim të viteve ’90-të, atëherë kur këtu të quanin homoseksual, nëse flisje për çështje të tilla”
Në një intervistë televizive përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2013 Rama dha një qëndrim të tij për martesat e LGBTQ+.
“Kjo është një gjë që nuk i takon një partie, sigurisht i takon shoqërisë, u takon forcave politike. Kjo i takon një debati më të gjerë. Ne nuk mund të jemi modernë… për të qenë modernë pa lidhje. Ne duhet të jemi racionalë, europianë, …duhet të ndjekim me shumë mençuri dhe urtësi rrugën e duhur, pa bërë kapërcime që stonojnë. Mua gjithmonë më kanë akuzuar për ekstravagant dhe modernist, gjë që për mua nuk është akuzë, por krenari”, tha Rama aso kohë.
Por kyeministri qeveria e kryeminsitrit Edi Rama pavarësisht se nuk ka dalë asnjëherë hapur në mbështetje të personave LGBTQ+, ka ndërmarrë hapa institucional për këtë komunitet.
Në vitin 2016 u miratua “Plani i veprimit për personat LGBT+ në Republikën e Shqipërisë 2016-2020”.
Plani u mbështet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqënies Sociale, ndërsa u pa si një hap i rëndësishëm në vendin tonë për të drejtat LGBTQ+.
Por pavarësisht qëndrimeve të tij, herë më dashamirëse e herë më të ashpra, Edi Rama nuk ka qenë asnjëherë në Paradën e Krenarisë e cila çdo vit mbahet në Tiranë, dhe aktivistët kalojnë poshtë zyrës së tij.
Erion Veliaj, mbështetës kur i do puna!

Të njëjtën linjë me shefin e tij ka mbajtur edhe Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili kandidon edhe për një mandat të tretë.
Veliaj, në takime private dhe në evenimente ku të pranishëm janë trupa diplomatike, sillet si një person dashamirës ndaj komunitetit, madje çdo 17-maj ai vendos edhe flamurin LGBTQ+ në murin e Bashkisë së Tiranës, por asnjëherë nuk ka qenë në Paradën e Krenarisë.
Është tanimë e qartë sesi Veliaj me aparatin propagandistik të tij arrin që të deportojnë në shumë grupe sociale, pasi ai është aty sa herë dëshiron që një ngjarje a një event ta kthejë në kapital politik për veten e tij.
Veliaj ka marrë pjesë disa herë në evente dhe takime, publike ose private me anëtarët e komunitetit LGBTQ+, dhe sigurisht nëse ndonjë ndërkombëtar ka qëlluar aty ai është treguar jashtëzakonisht dashamirës.
Por, Veliaj që nuk lë event në Tiranë, sado periferik të jetë pa marrë pjesë, ai refuzon që t’i bashkohet komunitetit LGBTQ+ në Paradën e krenarisë, madje duke e ditur se aty ka edhe përfaqësues të selive diplomatike.
Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia e Lirisë

Në zgjedhjet e 14 majit, Lideri Historik i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe Ilir Meta nga Partia e Lirisë, do të garojnë së bashku nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, një koalicion i cili u formua pasi fraksioni i Z. Berisha Brenda PD nuk arriti që të merrte vulën, pasi Gjykata në Tiranë i dha të drejtë grupimit të Lulzim Bashës i cili drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.
Në vitin 2016 Sali Berisha atë kohë në opozitë, është shprehur publikisht kundër ndryshimit të Kushtetutës për orientimin seksual, duke u shprehur se “’ligji (antidiskriminim) që është miratuar gjatë qeverisjes së tij mjafton për t’i garantuar të drejtat komunitetit LGBT.
Sali Berisha në cilësinë e kryeministrit të vendit, mbështeti dhe shtyu për miratim edhe ligjin e vitit 2010 për mbrojtjen nga diskriminimi, një ndër aktet më të rëndësishme për komunitetin LGBTQ+ pas dekriminalizimit të marrëdhënieve seksuale mes gjinisë së njëjtë.
Padyshim Berisha edhe këtë akt e përdori edhe si kapital politik për vete në sytë e ndërkombëtarëve, por edhe për të përqeshur liderin e opozitës së asaj kohe Edi Ramën dhe për ta etiketuar atë si gej, një taktikë pothuajse e përhershme që ka adoptuar ai ndaj Ramës duke e sulmuar mbi parimet moraliste, gjë që e ka bërë edhe ndaj politikanëve të tjerë vendas por edhe të huaj!
Këtë ligj, Berisha u mundua madje ta paraqesë edhe si legalizim i martesave mes gjinisë së njëjtë, dhe heshtja e tij njëfarë kohe shtoj zërat se një gjë e tillë mund të jetë e vërtetë, por që ishte larg realitetit.
Burime që janë në dijeni të një takimi mes Berishës në atë kohë kryeministër dhe Boris Dittrich (autori hollandez i ligjit të parë për martesat mes së njëjtës gjini) saktësuan se Berisha e kishte pyetur Dittrich se ccfarë kishte bërë?
Ai kishte nisur duke numëruar arritjet e tij, dhe kur ka nisur të flasë për martesën gej Berisha është shprehur: Mos trego më kjo na duhet ne!
Pavarësisht këmbënguljes së Dittrich që para se të arrijmë tek martesat gej, kjo ccështje duhet të diskutohej në publik, Berisha kishte këmbëngulur nga ana e tij se “kjo na duhet”, sigurisht edhe për kapital politik, por edhë për të venë në lojë Edi Ramën, që aso kohe e rrezikonte pushtetin e Berishës.
Por riaktivizimi i Berishës në skenën politike pas vitit 2021 kur ai u shpall publikisht si person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, solli edhe ide të reja.
Ai lidhi koalicion me Ilir Metën që në kohën kur ky i fundit ishte President i Republikës.
Z. Meta gjatë kohës që ishte kreu i shtetit, dekoroi Pastorin Akil Pano me medaljen e lartë shtetërore të “Kalorësit të Urdhërit të Skënderbeut”
Akil Pano njihet si një person i cili ka qëndrime të qarta kundër komunitetit LGBTQ+, madje është dënuar për diskriminim edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Gjatë vitit 2022 dhe 2023, Meta dhe Berisha do të bashkoheshin zyrtarisht me Koalicionin Shqiptar “Pro Familjes” një koalicion i cili lindi për të kundërshtuar komunitetin LGBTQ+ dhe i cili ka zhvilluar në vazhdimësi një retorikë homofobike.
Madje për të shkuar më tej dhe për ta bërë marrëdhënien mes Koalicionit Pro Familjes, dhe Koalicionit “Bashkë Fitojmë” Berisha-Meta, i bënë edhe një favor të madh Akil Panos, duke i futur djalin e tij në listën e sigurtë të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Gjithashtu as Sali Berisha dhe as Ilir Meta nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në Paradën e Krenarisë.
Lëvizja Bashkë

Në fund të vitit 2022 në Shqipëri u formua “Lëvizja Bashkë” një parti e re e cila lindi nga aktivistët e “Organizatës Politike”
“Lëvizja Bashkë” është e vetmja parti e cila që në manifestin e saj sanksionon pranimin e identitetit seksual.
Në manifest thuhet: “çdo njeri, pavarësisht kategorizimit, orientimit dhe
vetëpërkufizimit identitar – etnik, gjuhësor, fetar, seksual, krahinor etj. – duhet të trajtohet me respekt e barazisht’
Duke marrë parasysh këtë fakt, por edhe aktivizmin e anëtarëve të kësaj partie që në fillim, organizata “ProLGBT” doli me një qëndrim të hapur javë më parë, duke mbështetur publikisht “Lëvizjen Bashkë”
Tirana, komuniteti LGBTQ+ dhe zgjedhjet!
Pavarësisht se asnjë prej kandidatëve nuk kanë mbajtur qëndrime publike për komunitetin LGBTQ+, Historia Ime ka zhvilluar një sondazh për disa javë për të parë orientimin e votës të komunitetit LGBTQ+ për Bashkinë e Tiranës.
Në sondazh kanë marrë pjesë 33.3 % persona të moshës 18 – 24 vjeç, 50 % të moshës 25-34 dhe 16.7% të moshës 35 +.
Sipas të dhënavë të mbledhura dhe analizuara nga “HistoriaIme” 38.9% e personave të komunitetit LGBTQ+ në Bashkinë e Tiranës nuk do të votojnë në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa 61.1 për qind do të marrin pjesë në zgjedhje.
Të pyetur se për cilën parti do të votoni në zgjedhjet e 14 majit për Këshillin Bashkiak, 46.4 % e anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ në Tiranë thanë se do të votojnë “Lëvizjen Bashkë”, 28.6 % thanë se do të votojnë Partinë Socialiste, 14.3 % thanë se do të votojnë Koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe 10.7% do të votojnë “Nisma Thurje”
Komuniteti LGBTQ+ në Tiranë u pyet edhe për kandidatët për kryetar Bashkie, ku nga rezultati doli se 40% e të anketurave do të votojnë Arlind Qorin, 36% Erion Veliajn, 20% Belind Këlliçin dhe 4% do të votonin kandidatët e tjerë në garë./ HistoriaIme