Unë jam vetë grua – Jo vetëm shfaqje

Nga Skerdi Bizgjoni
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vendosi në skenë shfaqjen ’Unë jam vetë grua’’ me regji të Kushtrim Koliqit dhe interpretuar nga aktori Adrian Morina, në kuadër të Tirana Pride 2023 sjellë nga “Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT në Shqipëri” dhe me mbështetjen e Heinrich Böll Stiftung.
Shfaqja flet për jetën e Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjiore që jetoi në Gjermaninë e viteve të luftës së dytë botërore. Charlote ishte ideatorja dhe pronarja e muzeut që ajo e quante –– “Muzeu i Lumturisë” –– ku ruante thesaret e saj që ishin antikuare nga familje që u internuan dhe u përndoqën nga Nazistët.

Charlotte von Mahlsdorf ishte emri i zgjedhur i saj, pasi emri i vërtetë ishte Lothar Berfelde. E lindur në Berlin në vitin 1928, në moshën 14 vjeçare kuptoi se kishte lindur ne trupin e gabuar pas një vizite që bëri tek tezja e saj dhe provoi fustanin e kuq me jakë të bardhë.
Ajo pati një jetë të vështirë, pasi duke patur parasysh se si shikohej homoseksualiteti nga nazistët, Charlotte von Mahlsdorf u dhunua vazhdimisht prej tyre.
Në shfaqen e shkruar nga Doug Wright, i cili e intervistoi Charlotte gjatë kohës që ajo ishte gjallë dhe para se të shkonte me azil politik në Suedi, Charlotte rrëfen se është përdhunuar dhe abuzuar seksualisht nga SS-të gjermane. Më pas, Rusët në Berlinin Lindor e detyruan të bëhej spiune e STAS-it për interesa të Rusisë duke e kërcënuar dhe shantazhuar me mbylljen e muzeut të saj.
Shfaqja u interpretua nga aktori Adrian Morina, i cili ndryshon të paktën 40 personazhe te ndryshme brënda nje ore e gjysëm shfaqje. Gjithë shfaqja të jep emocione të forta por dhe nota ironie dhe humori.
Në shfaqje përshkruhet jeta e saj, por në mënyrë të tërthortë gjithashtu edhe jetesa e komunitetit LGBTI në Gjermaninë e atyre viteve.
Në pikën kulmore të shfaqes, ajo tregon se si u trajtua por dhe u dhunua psikologikisht në një emision televiziv nga politikanë e gazetarë. Gjatë kësaj interviste, Carlotte shpërthen në një monolog shumë emocional mbi të vërtetën e komunitetit LGBTQ+ të atyre viteve, por duke patur parasysh situatën në të cilen ndodhet sot komuniteti LGBTQ+, mund të themi që ato fjalë janë shumë aktuale për jetën tonë në Shqipëri.

Ky monolog i saj nuk ishte vetëm një e vërtetë e sjellë në skenë, por një e vërtetë e përjetuar dhe jetuar nga shumë pjesëtarë të komunitetit LGBTQ+ të atyre viteve, por fatkeqësisht edhe në Shqipërinë e viteve 2023 shumë prej tyre hasen me komente të tila si ‘po të ishte Enveri ju do ju digjte’ ashtu siç përballej Charlotte me ‘pse nuk u dogji Hitleri’. Njëjtë si Charlotte, shumë pjesëtarë të këtij komuniteti janë përzënë nga shtëpitë e tyre, janë quajtur të sëmurë mendorë, janë gjuajtur me gurë në rrugë, janë komentuar dhe dhunuar në mënyrat nga më çnjerëzoret.
Pra kjo shfaqje nuk ishte vetëm një pjesë artistike për shumë pjesëtarë të këtij komuniteti, por ishte vetë jeta e tyre e vendosur në një skenë teatri e treguar nga fjalët e një aktori. Në të vërtetë janë pjesëtarë të këtij komunteti, të cilëve u duhet të aktrojnë çdo ditë që të arrijnë të mbijetojnë në këtë vënd.
A ka shpresë se një ditë, shfaqje të tilla do jenë vetëm shfaqje arti dhe jo jeta e përvuajtur e mijëra individëve që nuk mundën të jetojnë të lirë jetët e tyre.
Ne jemi të sigurtë që po. Prandaj do të vazhdojmë të luftojmë çdo ditë, derisa të drejtat tona të respektohen njësoj si ato të çdo qytetari tjetër./ HistoriaIme
