TIRANA PRIDE, 20 MAJ, ORA 17:00, REJA!

A guxoni të hapni zemrën dhe të ecni përpara?
Ne, po!
Më 20 Maj, mblidhemi në kryeqytet, por jo larg përditshmërisë dhe problemeve të periferisë, ku dhuna mbyt shpresën e të rinjve dhe të rejave LGBTI+ për një të ardhme ku mund të jetojnë veten e tyre të vërtetë. Më 20 Maj, marshojmë në Tiranë, ku pavarësisht fasadava shumëngjyrëshe dhe imazhit të një sigurie të rremë, jeta jonë, e komunitetit tonë, duhet jetuar ende mes frikës dhe e mbyllur mes katër mureve.
Marshojmë me besim të plotë se urrejtja që na sulmon dhe homofobia që përpiqet të na frikësojë, nuk do të arrijë asnjëherë të mbysë shpresën dhe frymëzimin tonë.
Do të jemi me qindra në paradë, por me mijëra në çdo qytet të Shqipërisë, sepse ne jemi miqtë e familjarët tuaj, profesionistët që kujdesen për ju, mësuesit që edukojnë fëmijët tuaj dhe policët që ju mbrojnë ju dhe shoqërinë. Jemi gazetarët dhe folësit e së vërtetës, avokatët dhe punonjësit socialë, inxhinierët, akademikët, artistët e Tiranës dhe punëtorët e periferisë. Jemi këtu për të qëndruar, për të mbrojtur të drejtën tonë për njohje shoqërore, ligjore e politike, të drejtën për të patur familje dhe për të jetuar dashurinë tonë me gjithë ngjyrat e saj, përtej katër mureve dhe kufijve ku homofobia dhe transfobia përpiqen të na mbajnë të mbyllur. Pas shumë vitesh në errësirë dhe pas një dekade Pride dhe aktivizmi, do vazhdojmë të ngrihemi mbi tymin dhe errësirën që përpiqet të mbysë shpresën tonë, për të drejtat tona dhe për të drejtat e atyre që shoqëria nuk i mbështeti për vite të tëra.
Këtë Pride, vijmë ashtu siç ne dimë më mirë, plot me ngjyra dhe me zemër të hapur për më shumë dashuri dhe solidaritet.
Eja dhe ti më 20 Maj!