VIDEO/ Skandal në Korçë, mjekët braktisin pacientin në trotuar; pezullohen nga detyra
Një video e regjistruar nga kamera amatore në Korçë tregon si një pacient braktiset në trotuar nga bluzat e bardha, të cilët supozohet të shpëtojnë jetë njerëzish. Një mjek dhe një infermier, nxjerrin nga ambulanca pacientin, i cili duket i pafuqishëm për të reaguar, dhe pasi e tërheqin zvarrë, e lënë në cep të rrugës.
Ngjarja ka ndodhur në 29 prill, në orët e pasdites, në zonën e njohur si Shën Triadha, në qytetin e Korçës.
Personat që kanë kryer aktin çnjerëzor, janë Çelo Fetollari dhe Artur Çima, mjek dhe infermier të Spitalit Rajonal Korçë. Pas publikimit të videos në media, Drejtoria e Spitalit Rajonal Korçë ka marrë menjëherë masën e pezullimit nga detyra.
Burime nga spitali bëjnë me dije se personi i braktisur në trotuar është Alban Dede- 40 vjeç, i cili ishte në gjendje të dehur.
“Me marrjen e njoftimit mbi rastin e ditës së djeshme (29/4/2015) të raportuar sot (30/4/2015) nga disa media për sjelljen e një ekipi mjekësor të shërbimit të urgjencës mjekësore dhe shërbimin e munguar të kujdesit shëndetësor ndaj një qytetari në Korçë, Drejtoria e Spitalit Rajonal Korçë ka marrë menjëherë masën e pezullimit nga detyra për mjekun Çelo Fetollari, dhe infermierin Artur Çima”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.