Turqia ka rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm, për të lejuar trupat e udhëhequra nga kurdët të tërhiqen nga Siria veriore. Vendi do të ndalojë ofensivën e tij në zonë, të mbikëqyrur nga SH.B.A., për 120 orë në mënyrë që të lejojë tërheqjen.
Nënkryetari i SHBA Mike Pence tha se ai kishte marrë gjithashtu konfirmimin se YPG kurde do të tërhiqej në mënyrë të rregullt, ndërsa Turqia do të pajtohej për një armëpushim të përhershëm pasi kjo të përfundojë.
Presidenti Donald Trump e vlerësoi këtë veprim duke thënë se do të shpëtonte “miliona jetë”.
Më parë SH.B.A. pati vendosur sanksione ndaj Turqisë për sulmet e papritura, e cila u prit me indinjatë nga Erdogan, i cili tha se tërheqja kurde do të ishte mënyra e vetme për ta përfunduar konfliktin.
Pence tha të enjten në mbrëmje, se SHBA nuk do të vendosë sanksione të mëtejshme me zbatimin e një armëpushimi.
Ndërsa, në një fjalim nga Teksasi, Trump tha se rezultati i bisedimeve shënoi “një rezultat të mahnitshëm”. Presidenti amerikan, gjithashtu vazhdoi në deklaratë se do të hiqte sanksionet “shumë shpejt”, dhe vlerësoi homologun e tij turk si një “njeri të ashpër” që “bëri gjënë e duhur”.
Ndërkohë, një zyrtar turk pa emër u citua nga Reuters të thoshte që Turqia mori “pikërisht atë që donte”.
Ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu tha se marrëveshja ishte vetëm për t’i lejuar luftëtarët kurd të tërhiqeshin nga “zona e sigurt”, duke shtuar se ata do të detyrohen të heqin dorë nga armët e tyre të rënda dhe se pozicionet e tyre do të shkatërroheshin.
Mirëpo cila qe përgjigjja kurde?
Mazloum Kobani, komandant në Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequr nga kurdët, tha për kanalin televiziv kurd se do ta pranonte marrëveshjen me Turqinë në veri të Sirisë vetëm në një zonë të caktuar, në zonat kufitare që kalojnë mes qyteteve të Ras al- Ain dhe Tal Abyad.
Nuk ishte e qartë nëse grupi do të pajtohej plotësisht me armëpushimin.
Deklarata e përbashkët nga Uashingtoni dhe Ankaraja, shpeh se të dy palët do të punojnë së bashku për trajtimin e të ashtuquajturve luftëtarë të Shtetit Islamik (IS) si dhe familjet e tyre të mbajtura në burgje dhe kampe në zonë – një çështje shqetësuese ndërkombëtare.
Operacioni ushtarak kundër zonave të kontrolluara nga kurdët u fillua javën e kaluar për të shtyrë forcat nga zonat kufitare të krijonin një “zonë të sigurt”, ku Turqia do të kthejë miliona refugjatë sirianë.
Cili ka qenë reagimi i BE-së?
Përgjigja e BE-së ndaj sulmit ka përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën, duke ndaluar shitjet individuale të armëve të shteteve të tyre në Turqi, ndërsa vetë Unioni u zotua të mos nënshkruajë ndonjë marrëveshje të re armësh me vendin.
Presidenti i Parlamentit të BE David Sassoli, ditën e enjte e dënoi operacionin si një “akt lufte” dhe tha se blloku duhet të zgjasë sanksionet e tij për të përfshirë gjithashtu marrëveshjet ekzistuese të armëve.
Ai gjithashtu sugjeroi një pezullim të bisedimeve me Turqinë në lidhje me një anëtarësim të mundshëm në BE.
Referuar: EuroNews