Veç 10-fishimit të taksave, bashkia i prish edhe biznesin 25- vjeçarit
Policia bashkiake ka bllokuar sot për më shumë se një orë trafikun në zonën e ish-bllokut, shkak ishte vendosja e fadromave në trotuar dhe numri i lartë i efektivëve për shembjen e një biznesi të vogël. Administratori i këtij biznesi, Auron Basha, tha për Channel One së policia bashkiake po vepron në mënyrë selektive dhe pa asnjë vendim zyrtar.
Ai denoncon dhunën dhe presionin psikologjik të ushtruar nga Policia Bashkiake prej më shumë se 10 ditësh. Auron Basha thotë se hapësira që shfrytëzon dhe për të cilën paguan rregullisht taksat nuk zë asnjë pjesë të trotuarit, madje është në një linjë me shkollën 8-vjeçare “11 Janari” dhe me dhjetëra biznese të tjera në atë rrugë.
Pak ditë më parë, ky biznes ka publikuar në profilin e Nisma #Thurje faturën me taksat e 10-fishuara që i duhet të paguajë për shfrytëzimin e hapësires. Në kundërshtim me deklaratat e Kryetarit të Bashkisë, i cili tha se biznesi duhet të paguajë vetëm 50 lekë për tavolinë, Auron Bashës i duhet të paguajë rreth 10- fishin e shifrës që deklaroi Veliaj, pra 450 lekë të reja çdo ditë për secilën tavolinë.
Fatura e Janarit për shfrytëzimin e kësaj hapësire është 750, 000 lekë. Duke i shtuar dhe taksën e tavolinës e cila është 2500 lekë, rezulton se për secilën tavolinë i duhet të paguajë 450 lekë në ditë.

Denoncimi i pronarit të këtij biznesi pë rritjen e taksave. Foto: Nisma #Thurje
Auron Basha tha për Channel One se ka investuar gjithë kursimet e jetës së tij në emigrim për këtë biznes. Ai akuzon se pas prishjes selektive të biznesit të tij, qendron Erinda Toska që banon një kat më sipër biznesit. Sipas Bashës, ajo ka njohje të drejtpërdrejtë me kryeinspektorin e policisë bashkiake, Ermal Kapllani tëk i cili ka ndikuar për prishjen e këtij objekti.
Bashkia sot, veç rritjes abuzive të taksave, i ka shkatërruar dhe investimin këtij 25-vjeçari, duke i dhënë goditjen e fundit drejt falimentimit të sigurtë.
Ai e mbyll denocimin e tij me një pyetje drejtuar kryebashkiakut Veliaj: ” Unë jam një i ri 25-vjeçar, nuk e di se ku do të më punësosh tani zoti Veliaj ? /l.k./
VIDEO: POLICIA BASHKIAKE PRISH BIZNESIN E 25- VJECARIT