Urgjenca e QSUT, reparti i “transformuar rrënjësisht” që mjekët kërkojnë ta braktisin
Pas publikimit dy ditë më parë të peticionit ku mjekët e urgjencës së QSUT, paralajmëronin dorëheqjen nga pozicioni i punës, u publikuan një mori deklaratash dhe njoftimesh që i dhanë një tjetër rrjedhë situatës.
Ministria e Shëndetësisë, bisedime me mjekët:
Menjëherë pas hartimit të këtij peticioni, Zv. Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli zhvilloi një takim me mjekët në QSUT duke u njohur me shqetësimet e tyre. Pas këtij takimi mjekët u tërhoqën nga qëndrimi i tyre, duke thënë se çështja do të zgjidhet me drejtorinë e QSUT.
Shefi i Urgjencës pas takimit: “Nuk kemi dhënë dorëheqjen”
“Ne nuk kemi dhënë dorëheqjen në 1997, absolutisht jo. Kjo është një kërkesë e jonë për të rregulluar problem, është puna e drejtorisë më tej për të zgjidhur problemet. Shërbimi është njëlloj sikur ka qenë më parë, por ngarkesa është tejet e madhe” tha shefi i Shërbimit të Urgjencës, Edmond Zaimi.
Njoftim i QSUT: “Lajmet për largimin e mjekëve janë të pavërteta”
Ajo që mund të thuhet është se lajmi nuk është i pavërtetë, të paktën në momentin e dhënë. Në shkresën e hartuar dhe firmosur nga mjekët thuhej qartësisht: “Të tërhiqemi nga pozicioni ynë i punës duke respektuar Paralajmërimin sipas Kodit të Punës me tridhjetë ditë para”.
Në deklaratën e drejtorisë së QSUT, u sqarua megjithatë se shërbimi nuk është ndërprerë:
”Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaron opinionin publik se puna në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme nuk është ndërprerë për asnjë moment. Të gjithë mjekët që punojnë në këtë shërbim janë në punë dhe në asnjë rast nuk është ndërprerë shërbimi ndaj pacientëve”.
Në fund të kësaj situate, mund të thuhet se ka një marrëveshje mes mjekëve që punojnë në kushte të vështira pune dhe drejtorisë së QSUT. Por kjo stuhi në gotë, tregoi edhe një herë se situata në shërbimin e urgjencës është jashtë kontrollit dhe ky shërbim i rëndësishëm nuk funksionin siç duhet.
Urgjenca e QSUT, reparti i “transformuar rrënjësisht”, që mjekët kërkojnë ta braktisin:
Në vitin 2014, drejtoresha e QSUT Ogerta Manastirliu, sot Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi “transformimin” e urgjencës në QSUT.
“Falë një ndërhyrje të mirëmenduar të drejtorisë, ky shërbim në QSUT nuk ka asgjë më pak se sa urgjencat në spitalet më të mira në botë”, deklaronte Manastirliu në atë kohë.
Por sot, 3 vite pas “transformimit rrënjësor” faktet tregojnë të kundërtën.
“Bokse të veçanta për të ruajtur privatësinë e pacientëve, një dhomë e veçantë për infermieren që të monitorojë gjendjen shëndetësore të çdo të sëmuri, stola ku të afërmit mund të presin të ulur, madje edhe sinjalistikë për të informuar ata se ku ta kërkojnë familjarin”, deklaronte Manastirliu në ata kohë.
Raportimet në media kanë treguar se bokset e veçanta nuk mjaftonin, dhe stolat “ku të afërmit mund të presin ulur”, shpesh janë kthyer në shtretër për të sëmurët që mjekohen në korridor.
Ajo që duket qartë në gjithë këtë histori, është se situata në shërbimin e urgjencës është jashtë kontrollit, pavarësisht se institucionet mundohen ta fshehin.
/l.k./