Policia turke nisi të premten bastisjet në mbarë vendin për të kapur afro 150 persona, shumë prej tyre ushtarak, të dyshuar për lidhje me grupin e fajësuar për grushtin e shtetit të vitit 2016.
Prokurorët në Stamboll, Konia dhe Ankara lëshuan urdhër-arrestet për 137 vetë si pjesë e hetimeve të ndryshme për ndjekësit e predikuesit mysliman, Fethullah Gulen, njoftoi agjensia e lajmeve Anadolu dhe transmetuesi NTV.
Turqia pretendon se Gulen, i cili momentalisht jeton në SHBA, ishte ideatori dhe financuesi i grushtit të dështuar të shtetit kundër Presidentit Erdogan në Korrik të 2016-ës. Edhe pse akuzat janë mohuar nga Gulen, Turqia kërkon arrestimin dhe ekstradimin e tij drejt Turqisë.
Menjëherë pas rimarrjes së pushtetit nga presidenti Erdogan, autoritetet turke filluan një përndjekje të gjerë të përkrahësve të Gulenit që punonin në administratë, në arsim dhe ushtri, duke i quajtur ata dhe organizatat e financuara prej Gulenit si organizata terroriste. Dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar në lidhje me dyshimet se janë pjesë e organiatave të Gulenit që nga viti 2016, ndërsa mbi 100,000 janë shkarkuar ose pezulluar nga sektori publik.
Bastisjet e së premtes u zhvilluan në më shumë se 30 provinca, përfshirë dhe Ankaranë, ku prokurori publik lëshoi urdhër-arrest për 35 oficerë të joaktivë të marinës, duke përfshirë edhe 10 akoma në detyrë aktive.
Edhe pse Ankaraja është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aleatët e saj perëndimorë mbi shkallën e goditjes, zyrtarët turq theksojnë se operacionet janë të nevojshme për të hequr “virusin” e shkaktuar nga infiltrimi i lëvizjes së Gulenit në institucionet kryesore turke./k.j
Burimi: REL