Tirana e protestave: banorët e Unazës së Re vazhdojnë qëndresën qytetare

Javët e fundit po rezultojnë javë tepër intensive, ku rezistencat qytetare dhe protestat po na shoqërojnë në përditshmërinë tonë.
Paralelisht me protestën e studentëve, që pothuajse përditë ndërron intinerar, edhe banorët e Unazës së Re po protesojnë pandërprerje për kauzën e tyre. Përditë, ato mblidhen pasditeve për të kërkuar anullimin e planit për zgjerimin e rrugës, punimet për të cilën u pezulluan pas skandalit të falsifikimit të dokumentave prej kompanisë që kishte fituar tenderin.
Ndërsa qëndresa e tyre po hyn në muajin e dytë, banorët e Unazës së Re kërkojnë jo vetëm anulim të projektit të “Unazës së Madhe” por edhe burgosjen e ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknurit dhe kreut të ARRSH, Afrim Qendro.
Ditën e djeshme ato protestuan sërish duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre dhe shpronësim të drejtë, ashtu si dhe u është premtuar.
“Çfarë ka bërë ARRSH, Damian Gjiknuri së bashku me Afrim Qendron dhe Edi Rama, në Unazën e Re për banesat që janë bërë me hipotekë? Bizneset i shpronësojnë me 200 mijë lekë të vjetra. Çfarë bëjnë këta?
Na merr 200 mijë lek, dil nga shtëpia dhe ta blej unë 3 mijë euro. Kjo gjë, kur themi për oligarkinë, flasim për konceptin e qeverisjes së të pasurve dhe injorantëve, një grupi të mbyllur.
Të gjithë kemi qenë në emigracion por se kemi bërë vilën si në Surrel, prandaj themi që ka krim të organizuar”, tha avokati, Artan Manushaqe.
Autoriteti Rrugor ndërkohë, pas zbulimit të skandalit, ka pezulluar punimet dhe ka rihapur garën për tender për zgjerimin e rrugës. Punimet e nisura janë lënë përgjys, duke shkaktuar mjaft kaos në qarkullimin e përditshëm rrugor, ndërsa ky veprim duket se s’ka ndaluar përpjekjet e banorëve për anullimin e projektit./k.j