Thellohet skandali në Shkodër: Shtatëzëni dhe abortim i paligjshëm nga tre të sëmura mendore
Thellohet rasti i abuzimit në Qendrën e Zhvillimit Social në qytetin e Shkodrës. Pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Stop”, ku tregohej si lidheshin dhe keqtrajtoheshin pacientët me probleme të shëndetit mendor, organi akuzës ka zbuluar një tjetër fakt të rëndë. Tre paciente femra në moshë madhore kanë mbetur shtatzënë dhe kanë abortuar në mënyrë të paligjshme.
Ky rezultat ka dalë pas ekspertimit mjekoligjor të kërkuar nga Prokurorira e Shkodrës, e cila ka hetuar për më shumë se dy javë në këtë qendër, duke urdhëruar dje arrestimin e drejtoresës Juliana Cepi dhe infermieres Aida Ymeraj.
Nga hetimi i Prokurorisë është zbuluar se ndaj pacientëve me probleme të shëndetit mendor ushtrohej dhunë sistematike dhe se shtatzania e tre pacienteve femra ka ardhur si pasojë e neglizhencës së dy punonjëseve të arrestuara.
Në një reagim të saj, Bashkia e Shkodrës i ka cilësuar si pamje të manipuluara ato që u shfaqën në televizion dhe të nxitura nga një ish-drejtues sektori në këtë qendër, i cili është larguar nga puna para 2 vitesh për thyerje disipline. Ky është rasti i tretë që në qendrat sociale të Shkodrës zbulohen raste abuzive. Rasti i parë kishte të bënte me keqtrajtimin e një fëmije, ndërsa në denoncimin tjetër nga Avokati i Popullit u pretendua se ishin abuzuar seksualisht 3 të mitura.
/l.k./