Tetori – Muaji i ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit
Në të gjithë botën, tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe për të sensibilizuar mbi zbulimin e hershëm, trajtimin si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje.
Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën. Në vitet e fundit kjo sëmundje ka shënuar rritje në numrin e pacientëve për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës që ai sjell.
Kjo sëmundje zhvillohet nga vetë qelizat e gjirit. Qelizat në një pjesë të gjirit bëhen anormale dhe fillojnë të rriten, grumbullohen e formojë një tumor, i cili shtyp dhe përhapet jashtë kontrollit dhe shkatërron indin normal të gjirit. Nëse nuk trajtohen, këto qeliza anormale, mund të përhapen e të shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth por mund të përhapen edhe në pjesët më të largëta të trupit, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose sistemit limfatik.
Historia Ime risjell rrëfimin e Majlina Nanajt, një grua e prekur nga kanceri i gjirit, e cila vendosi të ndajë përjetimet e saj që nga diagnostifikimi, trajtimi e deri tek një apel për të gjitha gratë e prekura nga kjo sëmundje.
Si mund të parandalohen pasojat e kancerit të gjirit?
Kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur pacienti nuk ka ende asnjë shenjë të sëmundjes. Kur kanceri i gjirit kapet që në fazë të hershme, falë ekzaminimeve, ka më shumë mundësi për t’u trajtuar.
Është e rëndësishme të dimë se asnjë test kontrollues për kancerin nuk është 100% i saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi kontrollues, ndonjëherë mund të diagnostikohet kanceri kur nuk është, ose nuk arrin të diagnostikohet kur ka kancer. Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
Çfarë është mamografia?
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X.
Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.
/l.k./