Tërhiqet qeveria nga projekti i shkatërrimit të kanionit të Holtës
Pas Parkut të Zagorisë, i cili rrezikon të shkatërrohet prej kërkimeve për naftë nga kompania “Shell”, një tjetër monument natyror, me vlera të pallogaritshme dhe i zbuluar së fundmi është vënë në rrezik.
Bëhet fjalë për kanionin e Holtës në rrethin e Gramshit, një kryevepër e natyrës e cila vitet e fundit u soll në qendër të vëmendjes nga turistët e shumtë dhe të apasionuarit e rafting. Bukuritë e Kanionit, kanë sjellë përfitime të shumta për zonën përreth, duke e kthyer atë në një qendër turizmi dhe agroturizmi dhe duke promovuar zhvillimin ekonomik të të gjithë Bashkisë së Gramshit.
Më 27 prill të vitit 2018 kryeministri Rama firmosi miratimin e lejes për ndërtimin e HEC-it të Strorit në përroin e Holtës dhe Seltës ne Gramsh. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Agjencia e Zhvillimit të Territorit në bashkëpunim me ministrinë e Energjetikës.
Pas denoncimeve të shumta, kreu i degës së PS në Gramsh, Klodian Taçe ka deklaruarë se projekti për HEC-in në Kanionin e Holtës në Gramsh do të anulohet. Përmes një postimi në Facebook, Klodian Taçe shprehet se për anulimin e projektit ka marrë garanci nga deputeti i qarkut të Elbasanit njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Pas publikimit në media të këtij lajmi, kreu i grupit të PS taulant Balla tha se projekti për ndërtimin e HEC-it në kanionin e Holtës do të anulohet./k.j