Të drejtat e njeriut nuk janë luks
Zeid Ra’ad Al Hussein është komisioneri i lartë i O.K.B. për të drejtat e njeriut.
Katër vjet si komisioneri i lartë i O.K.B. për të drejtat e njeriut më kanë sjellë shumë takime të shkëlqyera dhe përpjekje të dëshpëruara, shumë informacione të dhimbshme dhe tronditëse, dhe disa mësime të thella që mund të duhen shumë vite për t’u asimiluar plotësisht.
Unë i jam kthyer vazhdimisht hartimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, ku e gjithë kjo histori filloi në të vërtetë. Ishte një kohë therjesh dhe vuajtjesh të tmerrshme, me ekonomi të prishura dhe kombe që dilnin nga hiri i dy luftërave botërore, një gjenocid i madh, shkatërrimi atomik dhe Depresioni i Madh. Të gjeje zgjidhje që mund të siguronin paqen globale dhe kombëtare ishte çështje e mbijetesës më të rreptë. Të angazhoheshe ndaj Kartës së O.K.B. dhe Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut ishte vendimtare. Ato nuk ishin qëllime filozofike: Këtu bëhej fjalë për jetë apo vdekje.
Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa promovimin e përparimit të gjerë shoqëror dhe standardeve më të mira të jetës, për të gjithë, në liri më të madhe. Burrat dhe gratë që i mbijetuan dy luftërave botërore e kuptuan këtë krejtësisht. Ishte ngulitur në zemrat e tyre.
Traktat pas traktati, udhëheqësit botërorë krijuan një numër të madh ligjesh dhe konventash dhe u angazhuan për t’i mbështetur ato. Sot ka një cinizëm të madh në lidhje me rendin global që ata ndërtuan – asnjëherë plotësisht global, asnjëherë shumë i rregullt – por edhe pse mund të ketë qenë i pjesshëm, përparimi që ata siguruan ishte shumë i madh.
Por kjo gjeneratë po na lë shpejt, dhe me ta edhe kujtesa e gjallë e mësimeve që ishin kaq të dhimbshme për ta. Tani, në vend që të përparojmë drejt lirisë, drejtësisë dhe paqes më të madhe, bota po kthehet pas – në një peizazh nacionalizmi gjithnjë e më të zymtë, ku interesat afatshkurtër të ruajtura me xhelozi nga udhëheqës individualë, zhdukin dhe shkatërrojnë përpjekjet për të gjetur zgjidhjet e përbashkëta.
Ne po kthehemi pas në një epokë përbuzjeje për të drejtat e njerëzve të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, sepse kërcënimet me të cilat përballen janë më të rrezikshme se sa rreziqet e udhëtimit të tyre. Po ecim pas në një kohë kur operacionet ushtarake mund të kishin qëllimisht si objektiv civilë dhe ndërtesa civile si p.sh. spitalet, dhe gazrat kimike janë përdorur haptazi për qëllime ushtarake edhe kundër familjeve të pafajshme.
Ne po shkojmë pas në një epokë kur racistët dhe ksenofobët qëllimisht ndezin urrejtjen dhe diskriminimin mes publikut, duke u maskuar me kujdes nën maskën e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Pas në një epokë kur gratë nuk lejoheshin të kontrollonin zgjedhjet e tyre për trupat e tyre – kur kriticizmi u kriminalizua dhe aktivizmi për të drejtat e njeriut solli burgun, ose më keq.
Kjo është mënyra se si bëhen luftërat: me zhurmën e trimërisë dhe buzëqeshjen e vetëkënaqur të dehumanizimit; rryma e padrejtësisë dhe erozioni në rritje i kontrolleve të vjetra dhe me sa duket të lodhshme. Rruga e dhunës përbëhet nga pasojat e papërmbajtura të brutalitetit banal dhe të rastësishëm që kalojnë në peizazhin politik.
Këtu është një mësim: Intoleranca është një makinë e babëzitur. Rrotat e saj, sapo të fillojnë të funksionojnë në një amplitudë të caktuar, bëhen të pakontrollueshme – duke grirë më thellë, më mizorisht dhe gjerësisht. Grupi i parë i njerëzve është veçuar nga urrejtja; më pas do të ketë më shumë, dhe më pas edhe më shumë, derisa makina për përjashtim përshpejtohet në dhunë, dhe në luftë civile ose ndërkombëtare – duke ushqyer gjithmonë me zemërimin e vet, një vrull në rritje ankesash dhe fajësimi. Teksa tensioni fillon të kulmojë, nuk ekziston asnjë mekanizëm që të jetë i aftë të dekompresojë dhe kontrollojë intensitetin e saj, sepse makina funksionon në një nivel emocional që ka shumë pak kontakt me arsyen. Lirimi mund të vijë vetëm pas një dhune të jashtëzakonshme. Kjo është diçka që ata prej nesh që punojnë për të drejtat e njeriut e kanë dëshmuar herë pas here.
Ne jemi në një moment thelbësor në histori, tani, ndërsa përçmimi për të drejtat e njeriut përhapet. Ksenofobët dhe racistët kanë dalë nga hijet. Një reagim i ashpër po rritet kundër përparimeve të bëra në të drejtat e grave dhe shumë të drejtave të tjera. Hapësira për aktivizmin qytetar po zvogëlohet. Legjitimiteti i parimeve të të drejtave të njeriut është sulmuar dhe praktika e normave të të drejtave të njeriut është në tërheqje.
Ajo që po shkatërrojmë, është thjesht struktura që garanton sigurinë tonë.
Shkatërrimi i Sirisë është një shëmbëlltyrë vrastare, e shkruar me gjak, që sjell përsëri në shtëpi atë spiralizëm të tmerrshëm të shkeljeve të të drejtave të njeriut në shkatërrim absolut.
Fushatat e organizuara të dhunës kundër Rohingya në Myanmar – ekonomia me rritjen më të shpejtë në Azinë Juglindore në vitin 2016 – sërish na kujton se rritja ekonomike nuk do ta ruajë kurrë paqen dhe sigurinë përballë diskriminimit të ashpër. Në vitin 2017 – edhe njëherë e pamë spektrin e gjenocidit, dhe përsëri, ne bëmë shumë, shumë pak për të ndaluar që kjo të ndodhte.
Pra, me një fjali, cili është një mësim kryesor që e kam sjellë në shtëpi nga ky mandat i jashtëzakonshëm, i privilegjuar dhe dërrmues si komisioner i lartë?
Është se në çdo rrethanë, siguria e njerëzimit do të sigurohet vetëm nëpërmjet vizionit, energjisë dhe bujarisë së shpirtit; përmes aktivizmit; përmes luftës për liri më të madhe, në barazi; dhe nëpërmjet drejtësisë./A.A.