Të dënuarit me më pak se dy vite burg, kanë të drejtë të punojnë
Në draftin e ri të miratuar për sistemin e burgjeve, janë vendosur një sërë lehtësirash për personat që kryejnë dënimet. Do të ngrihet një komision që do të vendosë për transferimin e të dënuarve nga burgu i sigurisë së ulët në një burg me regjim të hapur, me kusht që i dënuari të ketë siguruar një kontratë të rregullt pune
Qindra të dënuar që u ka ngelur më pak se dy vjet burg për të kryer, kanë të drejtë të punojnë ditën, ndërsa natën të kthehen në qeli. Në projektligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, thuhet se të dënuarit për vepra penale që nuk i kalojnë pesë vjet burg dhe u kanë ngelur për të kryer më pak se 24 muaj burg, kanë të drejtë të lirohen ditën, por me kusht që më parë të kenë siguruar një kontratë pune.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përcaktuar edhe një komision që do të vlerësojë kërkesat e të burgosurve për të kaluar në këtë burg me regjim të hapur. Kjo është një risi në sistemin e burgjeve në Shqipëri, çka do të lejojë uljen e mbipopullimit, ndërsa do t’u japë mundësinë dhjetëra të burgosurve që të riintegrohen më shpejt në shoqëri.
Burimi: Gazeta Shqip