Takim i shoqërisë civile për ofrimin e ndihmës juridike falas në Shqipëri
Civil Rights Defenders, ka organizuar sot një takim për “Ofrimin e ndihmës ligjore në Shqipëri”, me përfaqësues të shoqërisë civile. Takimi kishte për qëllim të prezantoheshin arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga periudha 2012-2014. Të pranishmit theksuan se përveç punës së bërë nga ana e OJQ-ve, ende nuk ka shenja të dukshme të ofrimit të ndihmës juridike falas nga ana e shtetit.
Vasilika Laçi, drejtuese e programit të CRD për Shqipërinë, tha se qytetarët nga rrethet nuk kanë mundësi të marrin ndihmën ligjore në qytetin e tyre, munden vetëm nëse vijnë në Tiranë.
Civil Rights Defenders, mbështet në Shqipëri 4 organizata që mundësojnë ndihmë juridike falas, siç janë Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shërbimi Ligjor Falas Tiranë, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Qendra për Nisma Ligjore Qytetare.
Në Shqipëri, e drejta per të marrë ndihmë ligjore falas për çeshtje civile dhe administrative për individët që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë, është miratuar në vitin 2008 në ligjin nr.10039.
Një nga nismat inovative nga “Shërbimi Ligjor Falas Tiranë”, është portali online që do të ketë për synim të edukojë, informojë dhe të ofrojë ndihmë juridike online. Avokatja Anisa Metalla, tha se ndihma juridike do të ofrohet kryesisht për çeshtje që sipas TLAS prekin më shumë shtresat në nevojë. Gjithashtu ky projekt do të jetë i aksesueshëm edhe nga personat me aftësi të kufizuara.
Sipas drejtoreshës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, reforma e re në drejtësi, duhet të rishikojë dhe të spastrojë disa përgjegjësi të gjykatave. “Jo në çdo rast çeshtja duhet të shkojë në gjykatë”, tha ajo.
Gjithashtu zonja Meçaj shtoi se “Sipas një studimi të Bankës Botërore, 32% e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri dhe e drejta legale duhet t’i ofrohet edhe kësaj pjese të shoqërisë”.
/m.g