Suedia ka një mesazh për azilkërkuesit e Ballkanit
Suedia ka bërë të qartë se nuk do të pranojë kërkesat për azil nga shtetas të vendeve të Ballkanit.
Autoritetet suedeze thanë se shtetasit e Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës kanë shanse minimale për të marrë përgjigje pozitive dhe status të refugjatit.
Sipas të dhënave më të fundit publikuar nga Enti i Migracionit në Suedi, gjatë vitit 2014 janë miratuar vetëm 1 për qind e kërkesave për azil parashtruar nga shtetas të vendeve ballkanike.
Shkak për mosmiratimin e kërkesave për azil është fakti se shtetet e Ballkanit vlerësohen si “vende të sigurta”, ndaj dhe nuk ka arsye për të pajisur qytetarët e tyre me status refugjati.
Ndërkohë, Zyra e Migracionit ka parashikuar një numër prej 8 mijë kërkesash për azil që pritet të parashtrohen në Suedi nga qytetarë ballkanas.
Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar në Suedi janë regjistruar gjithsej 81.300 azilkërkues. /ZHURNAL.mk