Studim: Situata dhe sfidat për zhvillimin e shoqërisë civile në Shqipëri
Organizata Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim prezantoi sot gjetjet e studimit kombëtar mbi mjedisin mundësues për zhvillimin e Organizatave të Shoqërisë Civile.
Ky studim u zhvillua përmes intervistave me 102 drejtues organizatash në 14 qytete të Shqipërisë, të cilat pasqyrojnë të dhëna interesante mbi garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të OSHC-ve, marrëdhëniet mes qeverisë dhe OSHC-ve dhe lehtësirave financiare që u garantohen OJF-ve.
Liritë dhe të drejtat themelore të organizatave
Klotilda Kosta, drejtore e programit “Partners Albania”, tha se në këtë aspekt situata paraqitet kryesisht pozitive. OSHC-ve nuk u kufizohet e drejta për organizime paqësore dhe 85% e tyre janë përgjigjur se nuk kanë aspak ndërhyrje në qeverisje nga ana e shtetit. Megjithatë, burimi kryesor i financimeve mbeten donatorët e huaj dhe puna vullnetare, dhe vetëm një 1% shprehen se kanë marrë grante nga qeveria qendrore.
Qëndrueshmëria dhe lehtësirat financiare për OJF-të
Në këtë aspekt situata paraqitet pozitive sa i përket lehtësirave mbi taksimin e granteve. Por problematika qëndron në faktin se 64% e OSHC-ve mendojnë se fondet publike nuk u përgjigjen nevojave që ata kanë dhe shpërndarja e tyre nuk është transparente.
Vullnetarizmi është një tjetër aspekt ku shteti duhet të krijojë politika dhe ligje stimuluese. Duke qenë se në Shqipëri aktualisht nuk ekziston asnjë ligj për vullnetarizmin, OSHC-të nuk kanë ankesa për kufizime por, 53% janë përgjigjur se nuk ka aspak programe stimuluese dhe mbështetëse për vullnetarizmin.
Marrëdhëniet Qeveri – OSHC
Bashkëpunimi mes shtetit dhe OSHC-ve është përmirësuar, pasi ka rritje të pjesëmarrjes së tyre në hartimin e ligjeve. Megjithatë, aksesi i publikut në projektligje dhe politika, mbetet shumë i vështirë.
Edhe pse pjesëmarrja është rritur, përfshirja e OSHC-ve në procese vendimarrëse është e ulët.
Gjetjet e këtij studimi do të publikohen në raportin e plotë në janar 2016 dhe do të prezantohen përpara Parlamentit Europian si pjesë e Raportit për Ballkanin Perëndimor.
/l.k./