Studim: 48% e personave me aftësi të kufizuara, nuk kanë informacion për të drejtat e tyre
Sipas studimit mbi “Qasjen në drejtësi të personave me aftësi të kufizuara”, personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë trajtohen ndryshe nga të tjerët në gjykata apo në organet e tjera të drejtësisë.
Në studimin e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, i financuar nga Komisioni Europian, theksohet se personat me aftësi të kufizuara kanë pak ose aspak informacion mbi të drejtat e tyre, madje edhe në rastet kur vendimi i gjykatës është në krah të tyre, nuk ekzekutohet.
Për sa i takon punësimit, mësohet se gjatë vitit 2014 janë punësuar 11.1% e personave me aftësi të kufizuar.
Sipas Shoqatës së të Verbërve në Shqipëri, 61.6% e PAK kanë patur konflikte lidhur me të drejtat e tyre, ndërsa 10.6% e atyre që janë paraqitur në gjykatë, janë ndier të përjashtuar për shkak të aftësisë së kufizuar.
Gjithashtu në studim theksohet se mungojnë gjërat më elementare të aksesit në infrastrukturë në organet e drejtësisë. Mungojnë rampat në institucione, ashensorët, shkopi i bardhë, semaforët akustikë, si dhe për pajisjet tifloteknike; Zyrat noteriale nuk kanë informacion se si duhet t’ia ofrojnë një kontratë një të verbri, por nuk kanë as infrastrukturën e nevojshme për të printuar një kontratë në alfabetin brail.
Një tjetër problem i paraqitur nga personat me aftësi të kufizuar është se edhe në ato raste kur e kanë fituar gjyqin dhe u është dhënë e drejta për të marrë pagesat e prapambetura vendimet nuk ekzekutohen dhe përsëri pagesat nuk i kanë marrë. Referuar gjetjeve të studimit, fakti që nuk zbatohet ligji i punësimit, dëshmohet gjithashtu nga të dhënat. /m.g
Burimi: Gazeta Shqip