Sokol Murataj, invalidi në Panairin e Punës: “Po kërkoj punë të mbaj familjen”
Integrimi në shoqëri dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara në vendin tonë nuk është i lehtë. Report TV tregon historinë e tetraplegjikut Sokol Murataj i cili shëtit në Panairin e Punësimit, të hapur disa ditë më parë tek Pallati i Kongreseve, për të gjetur një punë.
Për shkak të një aksidenti, prej më shumë se një dekadë, Sokoli ndodhet në karrige dhe është detyruar ta rindërtojë jetën dhe profesionin e tij. Edhe pse ka studiuar juridik, ka përfunduar edhe Masterin profesional, ai sërish gjendet pa punë. Ai shprehet se është shumë e vështirë për të gjetur punë. “Unë kam punuar një vit si jurist por është shumë e vështirë të gjej punë në privat”, shprehet Sokoli për Report TV.
Sipas legjislacionit shqiptar, 1 në 25 të punësuar, duhet të jetë me aftësi të kufizuara fizike. Por Sokoli duket gjithashtu pesimist për punësimin në administratën publike, të cilën e quan vend ku punësohen militantët. “Jetojmë në një shtet i cili nuk ofron as rehabilitim, as mjete, as karrocë, as pajisje higjienike, që na jep sot një 15 mijë lekë shteti, asgjë… Që invalidët të punësohen në shtet prapë është e vështirë, sepse aty punësohen militantët”, tregon Murataj.
Sipas një studimi të Ambasadës zvicerane, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe United Nations, 6.2% e popullsisë në moshë madhore në Shqipëri ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar. /m.g/