Skandali i radhës me kompanitë ofshore të naftës, Gulf “zhduket” me borxhe ndaj shtetit dhe qytetarëve
Kompania Sun Petroleum e cila tregtonte karburant në pikat Gulf u largua pa lënë gjurmë duke mbyllur të gjitha pikat e karburantit.
Gulf ka shitur qindra tollona në tregun shqiptar edhe me 120 lekë për litër, që është 25-40% më lirë se nafta që tregtohet në pikat e tjera të pakicës (165-178 lekë/litër), në një skemë mini piramidë, teksa nafta ka mbaruar dhe tollonat kanë mbetur në duart e konsumatorëve.
“Monitor.al” raporton se prej dy ditësh, në pikat e tregtimit të Gulf është krijuar amulli, pasi Sun Petroleum Albania shpk (e cila bën tregtimin me pakicë të naftës) ka ndërprerë furnizimin, ndërkohë që konsumatorët kishin blerë me qindra tollona.
Askush nuk po u jep zgjidhje atyre se çfarë do të bëhet, teksa të dy kompanitë e lidhura me të Sun Petroleum Albania (e pakicës) dhe Sun Petroleum Albania Trading (e shumicës) janë ofshore dhe si të tilla është e pamundur të identifikohen aksionerët.
Ndërkohë Irakli Svandize, shtetasi gjeorgjian administrator i kompanisë dha dy ditë më parë dorëheqjen për arsye personale, duke mos lënë askënd për ta zëvendësuar.
Gulf furnizohej nga IRTC, kompania tjetër offshore që la ARMO në një mal me borxhe
Furnizuesi kryesor me shumicë e “Gulf” ka qenë kompania tjetër “offshore” “IRTC”, e cila kishte në përdorim rafinerinë e “Armos” deri në fund të vitit që shkoi, kur mbylli dhe aktivitetin duke lënë pas një mal me borxhe. Fati i “Gulf” është i paqartë, por kësaj radhe përveç borxheve të zakonshme ndaj tatimeve dhe biznese, kompania përmes skemës mashtruese bëri viktima dhe qytetarë të thjeshtë që nuk kanë ku t’i përdorin tollonat e karburantit.
/l.k./