Shqiptari në anije: Stafi i tragetit s’na ndihmoi
Pasagjerët që ishin në “Norman Atlantic” vazhdojnë të japin dëshmi rrëngjethëse për orët e tmerrit që kaluan. Sokrat Qendro, shqiptari me nënshtetësi italiane tregon se për 9 orë pas alarmit nuk erdhi asnjë ndihmë.
Ai rrëfen për mediat italiane se pasagjerët e kishin mësuar se kishte rënë zjarr në anije pas britmave të pasagjerëve të tjerë. Pamë vetëm tymin thotë Qendro dhe më pas të gjithë u larguan me vrap.
Shqiptari me nënshtetësi italiane tregon se askush nga stafi i tragetit nuk i erdhi në ndihmë pasagjerëve, duke i lënë për orë të tëra pa ndihmë, deri sa kishin mbërritur skuadrat e para të shpëtimit.
“Kur nisi operacioni i shpëtimit ishte efiçent, por problemi ishte përpara. Nga ora tre e mëngjesit e deri në mesditë, kur nuk dëgjuam asgjë e nga askush. Asnjë nuk na thoshte çfarë të bënim e çfarë të mos bënim, por na lanë në dorë të fatit. Pastaj nga moment që erdhi ndihma gjërat ndryshuan. Por deri në atë moment isha unë dhe dy djem të tjerë që po përpiqeshim të organizonim dhe ndihmonim njerëzit”.
47-vjeçari shqiptar tregon se si kishte mësuar që në anije kishte rënë zjarri. “Dëgjuam njerëz që ulërisnin dhe vraponin duke dalë nga kabinat e tyre kështu që dola dhe unë. Pastaj pamë tymin që dilte, mora jelekun që ishte poshtë krevatit dhe më pas dolëm të gjithë jashtë në kuvertë me atë që kishim veshur në trup. Jashtë ishte errësirë dhe nuk shihej asgjë, ujë nga të gjitha anët.”