Shqipëria mbetet në vend në shkallën e zhvillimit demokratik
Sipas raportit të “Freedom House”, korrupsioni në Shqipëri është më i lartë se në periudhën 2007- 2012. Përkeqësim shënon pavarsia e medias ndërsa e vetmja fushë ku ka vlerësim pozitiv është procesi zgjedhor.
Renditja në këtë raport bazohet në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të progresit demokratik dhe 7 më të ulëtin.
Progresi demokratik në vitin 2016 mbetet i pandryshuar, me një pikësim prej 4.14, duke lënë pas vetëm Kosovën që ka një tregues prej 5.07, më i ulëti në vendet e rajonit.
Progresi demokratik matet përmes ecurisë së nën-treguesve të qeverisjes kombëtare e lokale demokratike, procesit elektoral, shoqërisë civile, pavarësisë së medias, kuadrit ligjor e zbatimit të pavarur të tij dhe korrupsionit.
Treguesit e demokracisë sipas “Freedom House” në përiudhën 2007-2016
Vlerësimin më të mirë Shqipëria e ka marrë në fushën e shoqërisë civile, me 3 pikë, ndërsa më keq rezulton fusha e korrupsionit me 5.25 pikë. Sipas raportit, përkeqësim ka pasur dhe në fushën e lirisë së medias, ku vlerësimi është 4.25 krahasuar me 4 që ishte vitin e kaluar.
Vlerësimi për pavarësinë e medias ka rënë për shkak të kufizimeve editoriale dhe ndikimit të interesave të pronarëve të medias në raportim. Politizimi i çdo çështje dhe shkëmbimi i akuzave personale mes figurave politike e ka zhvendosur vëmendjen e publikut nga çështje të rëndësishme si mirëqënia e qytetarëve, përfaqësimi politik dhe drejtësia.
/l.k./