Shqipëria hap dosjet por nuk dënon të inkriminuarit
Foto LSA
Dy dekada e gjysëm pas rënies së komunizmit Shqipëria miratoi më në fund një ligj që i lejon qytetarët të informohen për dosjet e ish sigurimit, por që nuk parashikon asnjë masë për ata që kanë bashkëpunuar me ish sigurimin e që mund të jenë edhe sot në poste drejtuese.
Parlamenti miratoi sot me votat e maxhorancës propozimin e qeverisë që u siguron tashmë viktimave të regjimit komunist të informohen për dosjet e tyre, ndërkohë që nuk u pranua propozimi i opozitës për të përfshirë në të dhe lustracionin.
Ish kryeministri Pandeli Majko e pranoi se drejtësia do të bëhej më shumë po të përfshihej dhe lustracioni, pra që ish bashkëpunëtorët e sigurimit të mos lejohen të kenë poste publike, por sipas tij, kjo është dicka “në kundërshtim me Kushtetutën”.
Deputetja e djathtë Mesila Doda e cila në bashkëpunim me aktivistë për të drejtat e njeriut si Elsa Ballauri dhe me mbështetjen e disa ndërkombëtarëve, përfshirë dhe europarlamentaren Ulrike Lunacek kishte propozuar një version tjetër, u shpreh kritike ndaj ligjit të votuar nga maxhoranca dhe mbrojti propozimin e saj për të përfshirë në ligjin për dosjet edhe lustracionin.
Për propozimin e saj të mbështetur dhe nga deputeti Shpëtim Idrizi ajo tha: “Ligji i sjellë prej nesh ka në thelb hapjen e dosjeve për të gjithë, veçanërisht për mbajtësit e posteve shtetërore dhe administrative, dhe vlersimin rast pas rasti të gjithë veprimtarisë së tyre, duke larguar të inkriminuarit nga vendimarrja. Kjo do të thotë që dosjet do hapen më së pari për deputetët, ministrat, zëvëndësministrat, drejtorët, prokurorët, gjyqtarët, diplomatët…pra më së pari për ata që ende kanë poste të rëndësishme, sepse në konceptin tonë nuk ka ardhmëri, nuk ka nder e as progres mbi rrënojat morale të një sistemi dhune e krimi”.
(Në foto një pjesë e fjalimit të saj shpërndarë në Facebook, me lart foto e LSA gjatë seancës plenare)
Mirepo ligji i miratuar sot në seancën e Kuvendit (me 84 vota pro) do të konsistojë në aksesin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944, deri 31 mars 1990. Këto dosje dhe dokumente disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë.
Pasi ka prezantuar draftin, ministri Erion Veliaj (që merrte pjesë për herë të fundit në seancë pasi po sot dha dorëheqjen për t’iu përkushtuar fushates për Bashkinë e Tiranës) ka vlerësuar se pr/ligji që ministria e tij ka sjellë për votim siguron transparencën dhe çdo nisëm tjetër që kalon caqet e përcaktuara nga ky pr/ligji do të përbënte thjesht një spekulim politik dhe do të ishte mënyra më e mirë për ta sabotuar.
“Kjo transparencë kërkon përgjegjësinë që çdo zyrtar të bëjë publik përfshirjen e tyre. Çdo nisëm tjetër që kalon caqet e përcaktuara nga ky pr/ligji do të përbënte thjesht një spekulim politik dhe do të ishte mënyra më e mirë për ta sabotuar.”- tha Veliaj.
Ndryshimi mes dy drafteve është se ai për lustracionin jo vetëm do të hapte dosjet e drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit, por rrjedhimisht kërkon edhe largimin e tyre nga postet publike, ndërsa drafti i qeverisë është i bazuar në modelin gjerman të transparencës së dosjeve të STASI-t. Qeveria thote se ky variant eshte “vlerësuar nga parterët ndërkombëtare si varianti i duhur”.
Një gjë është e sigurt: në Shqipëri nuk ka akoma një debat të shëndetshëm për të kaluaren e errët të komunizmit, një proces ky që me siguri do ta bënte më të mirë shoqërinë tonë. E mesa duket as ky ligj nuk do të mund ta nisë e ta cojë deri në fund një proces të tillë.