Shqipëria dhe Kosova, të vetmet me pagë minimale mujore nën 200€ në Europë
Open Data Albania ka përditësuar të dhënat mbi nivelin e pagës minimale në vend, Ballkan dhe Europë. Paga minimale është paga më e ulët që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj. Paga minimale në Shqipëri, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrit të Punës.
Aktualisht paga minimale mujore në shkallë vendi është 22 000 lekë. Kjo pagë jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës.
Vendi ynë aplikon një pagë minimale mujore më të ulët se vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Kosovës e cila e aplikon pagën minimale mujore bazuar në moshën e të punësuarit. Për të punësuarit deri në 35 vjeç si pagë minimale është 130 euro në muaj, ndërsa për të punësuarit 35-65 vjeç si pagë minimale është 170 euro në muaj. Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende të rajonit që aplikojnë pagë minimale nën 200 euro në muaj.
Vendet e Europiane paraqesin nivele të larta të pagave minimale, mbi 300 euro në muaj. Përjashtim bën Bullgaria e cila aplikon një pagë minimale mujore prej 184 euro. Luksemburgu aplikon edhe nivelin më të lartë të pagës minimale mujore prej 1923 euro. Nga 1 janari 2015, Gjermania ka aplikuar për herë të parë pagën minimale mujore, e cila arrin në 1473 euro muaj.
Ndërkohë që edhe për vitin 2015, vendet si Italia, Austria, Danimarka, Finlanda, Suedia, Zvicra, Qipro, Islanda dhe Norvegjia nuk aplikojnë pagë minimale. /Open Data Albania