Shoqëria civile proteston sot ndaj dhunës policore
Sot në orën 13:00 para Ministrisë së Brendshme (tek pedonalja), aktivistë të shoqërisë civile do të protestojnë ndaj dhunës policore. Shkak i kësaj proteste janë bërë rastet e një-pas-njëshme të videove të publikuara nga qytetarët, ku tregohen punonjës policie që ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve.
Në profilin e tij në facebook Altin Goxhaj shkruan:
“Në vetëm 14 ditë në 3 qytete filmohet Policia duke rrahur qytetarët në mes të rrugës! Të parandalojmë sot të keqen se nesër mund të jesh ti viktima e dhunës policore të radhës! Hajde për të mbrojtur veten!”
Më tej ai sqaron edhe rastet për të cilat bëhet fjalë:
“1. Tiranë, 7 Shkurt 2015: Filmohet kur i thonë kurvë dhe rrihet me shpulla nga policët një nënë 35 vjeçare në mes të Tiranës! Më pas për ti bërë presion e fusin ne burg!
2. Kavajë, 19 Shkurt 2015: Filmohet kur dhunohet me grushta dhe shkelma në kokë nga policia një i ndaluar në rrugët e Kavajës!
3. Korçë, 20 Shkurt 2015: Filmohet kur rrihet me shpulla nga policia një baba 33 vjeçar në mes të Korçës dhe më pas masakrohet 3 herë rresht me duar me pranga në qeli derisa i nxjerrin shpatullën vendit! Nuk e lejnë të marrë shërbim mjekësor të specializuar! Nuk pranojnë ta lirojnë!”