Shoqëria Civile kundër betonit dhe dëmtimit të pemëve në Parkun e Liqenit
Ka nisur nga dje një tjetër protestë e Shoqërisë Civile kundër ndërtimit të këndit të lojrave në Parkun e Liqenit. Firma e kontraktuar ka nisur dje gërmimet dhe hedhjen e betonit për të ndërtuar një trase për tren fëmijësh. Ky veprim ngjalli reagimin e menjëhershëm të aktivistëve që kaluan natën në park për të ndaluar punimet.
Gjendja e punimeve për këndin e lojrave sot
/Foto: Historia Ime
Aktivistët qendrojnë ende në Parkun e Liqenit
Aktivistët akuzojnë Kryebashkiakun Veliaj se ka mashtruar kur premtoi se në park nuk do të kishte beton dhe prerje pemësh. “Bashkia nuk ka bërë një projekt publik. Është thyer premtimi i bashkisë për të mos betonizuar parkun. Ne si qytetarë kemi të drejtë të informohemi. Të shtunën kemi njoftuar për marshim por e shohim të udhës ta zaptojmë më herët parkun. Ne do të zaptojmë parkun. Që nesër do zaptojmë Parkun e Liqenit. Do kundërshtojmë me çdo formë hedhjen e betonit. Kontrata është thyer, ky projekt nuk mund të vazhdojë më”, ka thënë Ervin Goci, një prej aktivistëve.
Me këtë video të publikuar nga grupimi “Qytetarët Për Parkun”, ata denoncojnë hedhjen e betonit dhe dëmtimin e rrënjëve të pemëve.
Protestuesit përplasen me punonjësit e firmës që po kryen punimet në Park
Dhjetëra aktivistë kanë kaluar natën në Parkun e Liqenit, në shënjë proteste kundër dëmtimit të pemëve dhe hedhjes së betonit, për ndërtimin e këndit të lojrave.
Por, gjatë natës ka patur përplasje të dhunshme mes aktivistëve dhe punonjësve të firmës kontraktore “Kassel”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm, kur makineritë po shkarkonin disa materiale ndërtimi dhe protestuesit janë afruar për të parë nga afër. Prëmes një videoje të shpërndarë në “Facebook”, aktivistët tregojnë se ndaj tyre është ushtruar dhunë dhe policia bashkiake dhe e rendit nuk ka ndërhyrë në asnjë moment gjatë përplasjes. Vetëm pasi ata telefonuan policinë, ka ardhur një patrullë që shoqëroi në komisariat dy punonjësit e firmës “Kassel”.
/l.k./