Shoqëria Civile flet mbi shkrirjen e MMSR dhe ecurinë e Planeve Kombëtare të Veprimit
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme në strukturën e qeverisë së re është shkrirja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale (MMSR) dhe ndarja e kompetencave të saj në dy ministri – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ajo e Arsimit Rinisë dhe Sporteve.
Gjatë katërvjeçarit të kaluar MMSR ka qenë institucioni kryesor përgjegjës për hartimin e disa planeve kombëtare veprimi për komunitetin LGBTI, atë Rom dhe Egjiptian, Personat me Aftësi të Kufizuar dhe Rininë që shtrihen në periudhën 2015/2016 – 2020.
Plane të mira në letër, por shumë pak është bërë për zbatimin e tyre
Historia Ime ka kontaktuar me disa nga organizatat që kanë punuar me MMSR për secilin prej strategjive. Përfaqësuesit e këtyre organizatave u shprehën se planet e veprimit prekin vërtet fusha me rëndësi për komunitetet e pafavorizuara dhe rininë por ajo çka është zhgënjyese është implementimi me ritme të ngadalta i aktiviteteve të parashikuara deri në 2017 dhe mungesa e përmirësimit konkret në ofrimin e shërbimeve për grupet e targetuara. Tjetër shqetësim është mungesa e raporteve për të matur zbatimin e tyre dhe impaktin që këto strategji kanë pasur deri tani.
Pikëpyetje të shumta janë ngritur pas prezantimit të qeverisë së re mbi atë çka do të ndodhë në katër vjeçarin e ardhshëm me këto strategji afatgjata. Por jo të gjithë të pyeturit ndajnë të njëjtin mendim mbi impaktin që do të ketë ky ristrukturim.
1.Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI në Republikën e Shqipërisë, 2016-2020
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2016-2020, i cili synon përmirësimin e jetës së këtij komuniteti nëpërmjet implementimit të politikave dhe strategjive për sigurinë, mbrojtjen, aksesin në shërbime.
E pyetur mbi ndikimin që mund të ketë shkrirja e MMSR mbi planin e veprimit dhe politikat mbi LGBTI Xheni Karaj tha:
“Gjatë vitit 2017 qeveria pati një mundësi konkrete për t’i treguar komunitetit LGBTI vullnetin për të punuar në mbrojtje dhe përmirësim të situatës së tij. Një mundësi e hedhur në kosh të plehrave me vendimin e marrë për shkrirjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Ky ishte një vendim që minoi njëherë e mirë çdo punë të realizuar gjatë viteve të fundit. Një vendim që thekson edhe njëherë që të drejtat e njeriut nuk janë prioritet për një qeveri të ashtuquajtur e majtë. Si gjithmonë, shoqëria civile mbeti dhe këtë herë e vetme në sfidat e saj”.
I cili ka një sërë objektivash mes të cilave nxitjen e përfshirjes sociale, trajtimin e çështjeve të përjashtimit dhe sigurimin e aksesit të barabartë në shërbime për personat Rom dhe Egjiptian.
Gentian Sejrani nga Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, i pyetur mbi ndikimin që mund të ketë shkrirja e MMSR mbi zbatimin e planit të veprimit tha:
“Nëse deri më sot kishim një derë ku kërkonim informacion apo llogari me shkrirjen do të bëhet e pamundur. Në një ministri ku çështje primare do të jetë gjë tjetër dhe jo problemet sociale padyshim procesi llogaridhënies mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve do të vështirësohet. Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të advokojmë që dhe aktivitete të tjera të përcaktuara në këtë plan të zbatohen, por tashmë me vështirësi të shtuar nga mungesa MMSR.
3.Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë, 2015 – 2020
Plan i cili ka për qëllim “zhvillimin dhe koordinimin e politikave ndërsektoriale rinore në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë dhe forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën shoqërore dhe proceset vendimmarrëse”.
Klaudio Pulaha, koordinator programi pranë organizatës CRCA, flet për Historia Ime mbi ecurinë e zbatimit të planit të Veprimit për Rininë 2015 – 2020: “Me aq sa kemi parë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, strategjia e rinisë është zbatuar shumë pak, për të mos thënë fare. Kjo shihet edhe nga impakti që ka dhënë strategjia e rinisë në rezultate dhe në ndryshimin e realitetit për të rinjtë dhe organizatat rinore në mbarë Shqipërinë nuk është ai që pritej”.
Në lidhje me ristrukturimin e Ministrive, Pulaha tha se ndryshimi mund të ndikojë pozitivisht, duke i hapur rrugën një bashkëpunimi të ri mes institucioneve mbi politikat për rininë.
4. Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2016 – 2020
Kjo strategji e përgatitur nga MMSR ka për qëllim të nxisë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri përmes politikave gjithëpërfshirëse në arsim, punësim, shërbime sociale dhe shëndetësore.
Blerta Çani, nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, e pyetur mbi impaktin që mund të ketë shkrirja e MMSR mbi zbatimin e planit për PAK, tha:
“Nuk mendoj se Ministria është shkrirë. Bashkimi me Ministrinë e Shëndetësisë i një pjese të saj në momentet aktuale është i volitshëm. Ministria po ndërmerr reformën e re të vlerësimit Bio-Psiko-Social të aftësisë së kufizuar, proces i cili ngarkon me përgjegjësi të njëjte si MSH ashtu edhe atë të Mirëqenies Sociale. Është një proces delikat, bazuar në standarde ndërkombëtare dhe implementimi nga një ministri (ajo që po krijohet), mendoj që do të lehtësonte procesin për PAK”.
Emanuela Zaimi, drejtuese e fondacionit “Down Syndrome Albania”, tha për Historia Ime se kalimi i çështjeve të PAK nën Ministrinë e Shëndetësisë është tregues regresi.
“Këtë e them pasi modeli i trajtimit të PAK nën një ministri për shëndetësinë, duket sikur nuk ka pranuar ose nuk është koshient për konceptin “gjithëpërfshirje”. Dokumentet strategjike ndërkombëtare për PAK, qe i ka ratifikuar dhe Shqipëria, në thelb kane garantimin e kësaj filozofie. Mbetet ende për tu pare çdo sjelle ky strukturim i ri”.
Nisur nga përvojat e mëparshme, Zaimi tha se ndryshimet e shpeshta në ministri kërkojnë kohë dhe punë ndërgjegjësuese, për t’i futur ministrat e rinj “në shinat e halleve të PAK”:
“I trembem më e pakta faktit që dhe kjo ministri do të dojë kohë “të njohë PAK”. Fatkeqësisht dhe në 4-vjeçarin e shkuar të kësaj qeverie, MMSR, ka ndërruar shumë herë Ministër. Sapo ne, përfaqësues të shoqërisë civile, mbyllnim me shumë mund takime lobuese dhe ndërgjegjësuese për PAK me një ministër, duke i futur në “shinat e halleve të PAK” ai ndërrohej.”
“Ministrat e rinj vinin me programet dhe prioritetet e tyre të ndryshme. Vetëm Z. Veliaj i dha prioritet PAK, dhe nisjes së reformave. Tani duhet të presim sërish për të kuptuar situatën dhe pozicionimin e programit të ri qeverisës për PAK nën ministrinë e Shëndetësisë. Ne nuk e kemi problem te shpjegohemi sërish nga e para e të vazhdojmë “luftën”, por humbja e kohës disfavorizon personat me aftësi të kufizuar.”
/L.K./