“Shkoza nën shtetrrethim”, nis aksioni për prishjen e banesave
Mëngjesin e sotëm Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka nisur aksionin për shembjen e banesave në zonën e Shkozës. Banorët pretendojnë se mes 153 banesave që preken nga projekti për rehabilitimin e lumit të Lanës, një pjesë janë të ndërtuara përpara viteve ’90 e të tjera kanë mbetur prej kohësh në proces legalizimi.
Ky projekt prej kohësh ka hasur kundërshtimin e banorëve të zonës të cilët thonë se gjatë fushatës elektorale u është premtuar legalizim i banesave, që do të thotë dëmshpërblim i tyre në rast prishje.
Ndërkohë zgjidhja që ofrohet nga Bashkia Tiranë është ofrimi i bonuseve për skemën e kredive të buta ose përfshirja në programin e banesave sociale.
Aksioni i sotëm është shoqëruar me një numër të lartë të forcave të policisë, të cilët kanë rrethuar zonën. Osman Hysa, përfaqësues i banorëve tregon sese policia e ka futur zonën nën “shtetrrethim “dhe nuk banorët të dalin nga banesa dhe askënd tjetër të hyjë në atë zonë.
“Qindra forca policore, të të gjitha strukturave, na shtynë, na detyruan që hynim në shtëpi. S’na njoftuan njeri që të hiqnim plaçkat, por vinë pa kuptuar dhe pa pandehur. Ne nga dita e protestës dhe deri sot kemi pasur kontakt me zonjën Elona Gjebrea, na vuri në gjumë se nuk do të na ndodhte asgjë. Kjo është situatë e paprecedentë, vinë me armë dhe të gjitha. Banorët nuk lejohen që të dalin nga banesa. Policët kanë bllokuar të gjithë banesat dhe nuk të lënë të dalin prej aty. Asnjë nga familjarët nuk ka një letër në dorë për prishjen e objekteve”, tha Hysa për News 24.
Efektivë të shumtë të policisë rrethojnë zonën ku do të prishen banesat në Shkozë/ Video: Nisma #Thurje
Pak ditë më parë banorët kanë protestuar përpara ambasadës Amerikane si edhe i kanë dërguar letra selive kryesore diplomatike në vend. Më pak se një javë më parë ata bllokuan rrugën në zonën e njohur si “Ura e Shkozës” duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve për disa orë.
/l.k./