Shkelja e të drejtave të njeriut në shtetin e udhëhequr nga nobelistja e Paqes

Shkelja e të drejtave të njeriut në shtetin e Azisë Juglindore të Mianmarit, njohur ndryshe si Birmania, po kthehet në një fenomen shqetësues për komunitetin ndërkombëtar. Përndjekja që po i bëhet komunitetit vendas musliman Rohingya, nga autoritetet e shtetit me predominancë budiste, po shkakton një krizë humanitare dhe miliona reufgjatë po arratisen nga vendi për t’i mbijetuar terrorit shtetëror.
Aung San Suu Kyi është presidentja “de facto” e vendit. Fituese e çmimit Nobel për Paqe në vitin 1991, ishte një pjesëmarrëset e revoltave të vitit 1988, që kërkonin vendosjen e demokracisë në vend. Dalëngadalë u kthye në një nga ikonat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mori çmime të shumta ndërkombëtare në këtë fushë. Drejtuese e opozitës në vend, ajo qëndroi në arrest shtëpiak për 15 vite nga autoritetet e shtetit një-partiak. Falë mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar, arriti të rivendosë sistemin demokratik në Mianmar, kur partia e saj fitoi zgjedhjet e vitit 2016, apo të paktën kështu u duk.
Menjëherë pas ardhjes në pushtet, konfliktet me minoritetin Rohingya u shtuan dhe autoritetet filluan një fushatë spastrimi etnik, duke djegur dhjetëra fshatra e duke detyruar qindra-mijëra njerëz të largohen. Për muaj me rradhë asnjë deklarim nuk u dha nga presidenca e Aung San Suu Kyi, por dhe kur komuniteti ndërkombëtar vazhdoi të rriste presionin ndaj qeverisë, ajo i cilësoi muslimanët rohingya si terroristë dhe spastrimin etnik si “luftë ndaj terrorizmit”.
Ditën e djeshme, Amnesty International njoftoi se do të tërhiqte mirënjohjen dhe çmimin e paqes ndaj Kyi në dritën e “tradhtisë së turpshme të vlerave për të cilat ajo dikur luftonte”.
Amnesty International kritikoi fituesen e Nobelit në një deklaratë për shtyp për mospërdorimin e “autoritetit politik dhe moral” të saj për të mbrojtur të drejtat e njeriut në vend, duke cituar “indiferencën e dukshme” të saj ndaj mizorive ushtarake në zonat etnike dhe “rritjes së intolerancës ndaj lirisë së shprehjes”.
Dikur një ikonë e bashkësisë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Suu Kyi është zhveshur sot nga një numër shpërblimesh prestigjioze mes akuzave për genocid të popullatës myslimane Rohingya të vendit. Presidenca e Mianmar ende vazhdon të mohojë akuzat për genocid dhe deklaron se situata në vend mund të ishte trajtuar në mënyrë më të moderuar, por janë të shumtë zërat që po kërkojnë akuzimin e qeverisë dhe Suu Kyi për genocid ndaj popullatës vendase në gjykatat ndërkombëtare.
Ushtria e Mianmarit është akuzuar për përdorimin e përdhunimit, vrasjes dhe zjarrvënies në një fushatë sistematike të spastrimit etnik, që detyroi më shumë se 700,000 Rohingya të iknin në Bangladesh, ku ata vuajnë në atë që është kthyer në kampin më të madh të refugjatëve në botë.
OKB i ka bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të hetojë udhëheqësit ushtarakë të Myanmarit me akuza për genocid./ k.j