Sfidat dhe zbatimi i ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” në 7-vjeçarin e tij të parë
Workshopi “Përvoja dhe mësime të nxjerra nga zbatimi i ligjit ‘Për Mbrojtjen nga Diskriminimi'”, i organizuar nga Civil Rights Defenders, ka mbledhur sot në një diskutim Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë me grupe të margjinalizuara dhe me ndihmën ligjore.
Qëllimi i workshopit ishte diskutimi mbi zbatimin e ligjit që prej miratimit të tij në 2010-ën dhe vet institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi duke u nisur nga çështje konkrete të trajtuara nga vetë organizatat e shoqërisë civile.

Foto gjatë panelit mbi diskriminimin në bazë të etnisë | HISTORIA IME
Në takim u sollën raste konkrete diskriminimi për shkak të etnisë, gjinisë, aftësisë së kufizuar etj, të ndjekura ligjërisht nga disa organizata të shoqërisë civile si TLAS, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Fondacioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Qendra Res Publica.
Gjatë takimit u pranua se shtatë vite pas ardhjes në fuqi të ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, shihet nevoja për të diskutuar mbi anët e tij pozitive dhe rregullimet që mund t’i bëhen si ligjit ashtu edhe funksionit të institucionit të KMD.
Disa prej sfidave të përmendura gjatë takimit për funksionin e institucionit të KMD janë:
– Rishikimi i afateve për shqyrtimin e ankesave me raste diskriminimi që kanë ndjeshmëri të madhe,
– Ushtrimi i “presionit” të KMD ndaj institucioneve publike për të marrë përgjegjësi ndaj veprimeve por edhe për tu informuar mbi detyrat që iu lindin nga ligji për mbrojtjen nga diskriminimi.