Rruga e re e refugjatëve, përmes Shqipërisë
Tani që ‘itenerari ballkanik” ka mbyllur kufijtë, organizata të të drejtave të njeriut dhe ekspertë ligjorë shprehin shqetësimin për mundësinë e kalimit të refugjatëve sirianë dhe irakianë nga Greqia në Shqipëri.
Pas mbylljes së kufijve në Maqedoni, Serbi, Slloveni dhe Kroaci dhe pas përpjekjeve për t’i kthyer imigrantët mbrapsht në Turqi siç është rënë dakord, rruga alternative është përmes Shqipërisë duke kaluar më pas Adriatikun për në Itali.
Zëri i Amerikës shkruan se kjo lëvizje, do të nxiste trafikantët e qenieve njerëzore të lidhur me grupe shqiptare të krimit të organizuar. Rruga e Adriatikut për vite me radhë është përdorur nga mafia shqiptare për transport droge dhe trafik armësh, si dhe për trafikim njerëzor, shkruan VOA.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Iman Aoun nga organizata “Save the Children” tha:
“Ne po dëgjojmë që refugjatët në Idomeni dhe zona të tjera në Greqi po flasin për të kaluar përmes Shqipërisë, megjithëse e kuptojnë që është një rrugë më e vështirë. Përveç krimit të organizuar, rreziku shtohet pasi ka më pak agjenci nderkombëtare për të ndihmuar me strehim, ushqime apo shërbime”.
“VOA” citon gjithashtu Matteo Albertini-n, ekspert i grupeve kriminale italiane dhe shqiptare, i cili pajtohet me shqetësimet e organizatave se “ka shtigje për abuzim”. Sipas tij, do të varet nga situata në vazhdim nëse do të ketë apo jo mbyllje të mëtejshme të kufijve. Eksperti thotë se mbërritja e emigrantëve në Shqipëri bart në vetvete rrezikun e nje rigjallërimi në rrugën e kontrabandës përgjatë Adriatikut, duke lidhur grupet italiane dhe shqiptare të krimit të organizuar.
Pas Maqedonisë edhe Bullgaria do të mbyllë kufijtë dhe ka në plan të ndërtojë një gardh përgjatë kufirit të tyre me Greqinë. Edhe Shqipëria nga ana tjetër i ka kërkuar ushtrisë dhe policisë italiane ndihmë për të shtuar sigurinë në kufi. Të dyja vendet thonë se janë të shqetësuara se mijëra refugjatët e bllokuar në Greqi mund të fillojnë të mbërrijnë aty pas mbylljes së pjesëve të tjera të Ballkanit. /m.g
Burimi: VOA