Rritet me 44% çmimi i ujit në Tiranë; Sa do të kushtojë e njëjta faturë nga 1 janari 2017?
Prej një janarit të vitit të ardhshëm qytetarët e Tiranës do të paguajnë rreth 44% më shumë për çmimin e ujit.
Njëkohësisht me këtë rritje, edhe tarifa e shërbimit do të dyfishohet. Çdo konsumator familjar do të paguajë 200 lekë tarifë fikse në muaj, nga 100 që paguan aktualisht.
Sa para më shumë do të shpenzojë një familje mesatare me tarifat e rritura të ujit?
Historia Ime ka marrë në shqyrtim të njëjtën faturë duke aplikuar çmimin aktual dhe atë pas një janarit 2017. Fotografia më poshtë tregon çmimin që një familje paguan aktualisht për 30 metër kub ujë në muaj, konsumi mesatar i një familjeje në muaj. Kjo sasi uji me çmimin aktual prej 45 lekë/m3 kushton 1350 lekë, duke shtuar taksat dhe tarifat e tjera të shërbimit totali që kjo familje duhet të paguajë është 2810 lekë.
Ndërsa fotografia më poshtë tregon të njëjtën faturë, me çmimin dhe tarifat e reja të ujit. Sasia prej 30 metër kub ujë, me çmimin e ri prej 65 lekë/m3, kushton 1950 lekë. Nëse i shtojmë taksat dhe tarifat, mes të cilave llogaritet dhe tarifa e dyfishuar e shërbimit, e njëjta familje me të njëjtin konsum prej një janarit do të paguajë 3646 lekë.
Pra në muajin Janar 2017, e njëjta faturë do të kushtojë 836 lekë më shtrenjtë.
Kjo falë vendimit të marrë nga ERRU (Enti Rregullator i Ujit), i cili miratoi kërkesën e UKT (Ujësjellës Kanalizime Tiranë) për ndryshimin e tarifave më 7 nëntor 2017.
Çmimi i ujit rritet edhe për subjektet tregtare, që do të paguajnë 155 lek/ m3 nga 135 lekë që paguanin më parë. Gjithashtu edhe institucionet publike do të paguajnë 20 lekë më shumë për çdo metër kub ujë, duke e çuar tarifën në 140 lekë/m3.
Tabela me çmimet e reja të ujit:
/l.k./