Rreth 700 persona do të privohen nga e drejta e votës për shkak të gjakmarrjes
Rreth 700 persona në veri të Shqipërisë janë të privuar nga e drejta e votës në zgjedhjet e 25 qershorit për shkak të gjakmarrjes.
Gazeta Shqiptare shkruan se sipas kreut të Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve, Nikollë Shullani, numri më i madh i personave në gjakmarrje janë nga Tropoja, Puka, Lezha, Mirdita, Malësi e Madhe dhe më së shumti nga Shkodra.
Sipas zotit Shullani, është frika se gjakësi mund t’i vrasë ajo që nuk i lejon këta persona të kalojnë pragun e derës për të votuar. Një rast i tillë ka ndodhur në vitin 1997, kur janë vrarë 2 persona dhe janë plagosur 2 të tjerë tek qendra e votimit në Dukagjin nga gjakësit e tyre.
Ai thotë gjithashtu se në zgjedhjet e kaluara disa prej tyre edhe kanë shkuar të votojnë, por këtë vit nuk është marrë asnjë masë nga strukturat shtetërore.
“Më përpara familjet që janë në gjak kanë arritur që të votojnë, ndonëse jo të gjitha. Pjesa më e madhe e tyre janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga forcat e policisë dhe kanë mundur që të votojnë… Kësaj here nuk ka asnjë angazhim nga Policia e Shtetit për familjet në gjakmarrje që ata të ushtrojnë të drejtën e votës”, ka thënë kreu i shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve për gazeta Shqiptare.
Një zgjidhje që propozon Z. Shullani është dërgimi i kutive të votimit në shtëpitë e të ngujuarve.
Shkrimi i plotë: Gazeta Shqiptare